Ne rrjet

Arratisja në Hungari, raporti sekret: Gruevski do fshihej në Greqi

Rreth një muaj e gjysmë nga arratisja e ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski në Hungari, ku ka fituar të drejtën e azilit politik, asnjëri nga institucionet e Maqedonisë nuk ka marrë përgjegjësinë

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se pavarësisht dhënies së azilit, nuk do të heqin dorë nga kërkesa për ekstradimin e Gruevskit ndërsa kanë kërkuar ndërhyrjen edhe të Bashkimit Evropian që Hungaria të respektojë vlerat evropiane për përgjegjësi për personat që bëjnë shkelje ligjore që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe krimin e organizuar për çka edhe ish kryeministri ishte dënuar me 2 vjet burgim, ndërsa ndaj tij po udhëhiqen edhe të paktën katër procese gjyqësore për shpërdorim detyre.

Ndërkohë, nga Ministria e Brendshme në Maqedoni kanë dalë detaje të një raporti sekret, ku nënvizohet se nuk ka pasur ndonjë informacion, apo indikacion të fuqishëm se Gruevski po përgatiste arratinë, por kishte dyshime se ai mund të ikte për të kërkuar strehim në Greqi.

“Kemi pasur disa indikacione që Gruevski, me ndihmën e disa njerëzve të tij, do të ikte në Greqi. Kishte fjalë se gjoja kishte marrë me qera tre banesa në Selanik, ku në njërën do të qëndronte, e dy të tjerat do t’i shërbenin për të humbur gjurmë”, shkruajnë mediat fqinje referuar MPB-së së Maqedonisë.

Sipas tyre, për momentin Gruevski gjendet në një hotel në Budapest, por autoritetet maqedoonase vijojnë të këmbëngulin për ekstradimin e tij.

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski më 13 nëntor kishte njoftuar përmes rrjetit social Facebook, se ishte arratisur në Hungari, ndërsa pak ditë më vonë ai njoftoi se autoritet hungareze i kishin miratuar kërkesën për azil politik për shkak (sipas asaj që ka thënë) ndjekjes politike nga qeveria e kryeministrit Zoran Zaev.

Në rrugën për në Hungari, Gruevski ka kaluar nëpër territoret e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë