Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama i pranishëm në konferencën ndërkomëbëtare në Universitetin e Bujqësisë, ftoi studentët t’i bashkohen AKU-së, institucioni i kontrollit ushqimore.
Rama tha se AKU ka nevojë për profesionistë dhe inspektorë me integritet, ndryshe nga ata që janë bërë “problem dhe jo zgjidhje”.
“Pak kohë më parë kërkuam ndihmën e UBT-së për të bërë një testim të kapaciteteve të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit. Kemi marrë nga grupi i angazhuar një raport shumë cilësor, një eksperiencë që na ka dhënë idenë që ta strukturojmë si eksperiencë të shtrirë me botën akademike për të bërë vlerësimet profesionale të të gjithë inspektoriateve të vendit tonë. Duke krijuar një aleancë që do t’i hapë rrugë profesionistëve që duan të përfshihen në inspektoriate sipas meritës dhe për t’u mbyllur rrugën atyre që kanë hyrë në këto inspektoriate pa integritetin e duhur profesional, ku janë bërë pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes. Doja të ftoja të gjithë ata studentë që nesër do të kishin dëshirë të përfshiheni në këto inspektoriate apo ata që kanë mbaruar Universitetin Bujqësor dhe duan të kontribuojnë në AKU, të guxojnë dhe të aplikojnë kur të hapet procesi i aplikimeve të reja, ku do të vlerësojmë bashkë me UBT-në ata që do të merren në punë”, ishte apeli i Ramës.
Kryeministri, vlerësoi punën e universitet Bujqësor, duke bërë batuta me rektorin e UBT, Fatbardh Sallaku se “kur demokratët nuk kanë flokë e kam më të lehtë të gjej aleancë me ta”.
Karl Bergner, Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, tha gjatë taktimit se “Shqipëria është e bekuar me burime natyrore, klimë të favorshme dhe një traditë të punës së madh, por duhet të përshtatet me standardet e BE-së. Kemi folur gjatë për përshtatjen, është koha tashmë të veprojmë!”, përfundoi ambasadori.
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, tregoi se qeveria po fokusohet te rritja e kapaciteteve njerëzore që do të angazhohen në fushën e bujqësisë dhe kontrollit ushqimor.
“Do të ngremë numrin e kapaciteteve njerëzore dhe do të ketë një sistem të regjistrimit të parcelave. Për sigurinë ushqimore, do të ndërtojmë një sistem digjital për gjurmimin e inputeve bujqësore, që do të garantojë që çdo produkt shqiptar të jetë i sigurt dhe i certifikuar. Te peshkimi dhe burimet detare, me në fokus ruajtjen e ekosistemit, po punojmë për rritjen e kapaciteteve njerëzore, reformimin e strukturave dhe rritjen e profesionalizmit në çdo institucion varësie. Do të garantojmë përfshirjen e ekslencës së UBT-së”, tha Salla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



