Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike i kërkon Kuvendit zhvillimin e një seance me mocion për debat që lidhet për raportin final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Me një shkresë zyrtare, selia blu i është drejtuar selisë së Kuvendit, ku duke renditur edhe pikat konkrete apo argumentet, kërkon mbajtjen e seancës së veçantë për të diskutuar gjetjet e raportit.
PD thekson se në këtë raport theksohet qartë shkelja e barazisë zgjedhore, përdorimit të makinerisë shtetërore, resurseve apo burimeve të saj financiare në këmbim të votës dhe deri tek përfundimi i devijimit të rezultatit zgjedhor.
Gjithashtu opozita ngre edhe çështjet e patronazhistëve dhe intimidimit të mbështetësve të saj para dhe pas zgjedhjeve.


Sipas deputetëve të opozitës, në përmbajtjen e Raportit theksohet se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 u mbajtën në një mjedis tejet të polarizuar, ku garuesit nuk gëzuan mundësi të barabarta.
“Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve shtetërore dhe kapaciteteve institucionale, duke përfshirë edhe bërjen publike vetëm pak orë para ditës së zgjedhjeve të faljes të një numri të madh gjobash, dhe zyrtarët e lartë qeveritarë u angazhuan në një numër të madh aktivitetesh zyrtare që shpesh përkonin me mesazhet e fushatës, duke e bërë të paqartë vijën ndarëse mes shtetit dhe partisë. Pati pretendime për presion ndaj nëpunësve të administratës publike, raste intimidimi të mbështetësve të opozitës, si dhe përdorim të rrjeteve të patronazhimit, çka bie ndesh me standardet ndërkombëtare.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



