Shendet

Raporti: Ngrohja globale po vret një person në minutë

Rritja e nxehtësisë globale po vret një person në minutë në të gjithë botën, zbuloi një raport i madh mbi ndikimin shëndetësor të krizës klimatike.

Raporti lidh varësinë nga karburantet fosile me ndotjen e ajrit, përhapjen e sëmundjeve dhe shfaqjen e zjarreve masive në pyje, duke rezultuar në miliona vdekje çdo vit.

Sipas analizës, qeveritë kanë dhënë gjatë vitit 2023 rreth 2.5 miliardë dollarë në ditë subvencione për kompanitë e karburanteve fosile, ndërkohë që qytetarët humbën një shumë të ngjashme për shkak të temperaturave të larta, që i penguan të punojnë në bujqësi dhe ndërtim.

Raporti vë në dukje se numri i vdekjeve të lidhura me nxehtësinë është rritur me 23% që nga vitet 1990, duke arritur mesatarisht 546 mijë vdekje në vit, rreth një vdekje çdo minutë. Dr. Marina Romanello nga University College London tha se miliona vdekje ndodhin çdo vit për shkak të vonesave në zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.

Ekspertët theksojnë se çdo vdekje nga nxehtësia mund të parandalohet. Prof. Ollie Jay nga Universiteti i Sidneit nënvizoi se stresi nga nxehtësia mund të prekë çdo njeri dhe mund të jetë fatal, ndërsa Laura Clarke nga ClientEarth paralajmëroi se pasojat klimatike nuk janë më paralajmërime të largëta, por realitet i pranishëm.

Raporti i Lancet Countdown 2025, i udhëhequr nga UCL në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe 128 ekspertë nga mbi 70 institucione akademike dhe agjenci të OKB-së, thekson se gjatë katër viteve të fundit, çdo person është ekspozuar mesatarisht ndaj 19 ditëve në vit me nxehtësi kërcënuese për jetën, prej të cilave 16 ditë janë pasojë e ngrohjes globale të shkaktuar nga njeriu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë