Politike

Përballja me Dumanin, Berisha: Nuk duronte pyetjet e deputetëve, fliste si i kapur

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat, sulmoi kreun e SPAK-ut, Altin Dumanin, pas raportimit të tij në Kuvend.

Sipas Berishës, Dumani refuzonte të merrte pyetje nga deputetët, një akt i pashembullt që sipas tij, tregon arrogancë dhe frikë.

“Qytetarë, ju dje në një teatër tragjikomik patë sesi pseudomazhoranca e tërë u angazhua të shkelë ligje, të shkelë kushtetutën e vendit vetëm në diktatin e Dumanit, i cili refuzonte të merrte pyetje me gojë direkt nga deputetët. Akt i pashembullt. Në të gjitha parlamentet e botës pyetjet bëhen me shkrim dhe me gojë. Dorëzohen me shkrim në mënyrë që zyrtari që pyetet t’i jepet mundësia të përgatisë përgjigjet, lexohen nga autori dhe ky është një standard.”

Ai shtoi se “Dumani fliste si i kapur, sepse nuk duronte dot pyetjet, i dukeshin si shigjeta”.

Berisha akuzoi Dumanin për “mos-hetim të aferave korruptive të qeverisë”, duke u shprehur se “SPAK merret me çështje të paqena, ndërsa Rama dhe bashkëpunëtorët e tij kanë vjedhur pa fund”.

Duke e akuzuar Dumanin si “amnistues të krimit elektoral”, Berisha tha se “kreu i SPAK citoi Edi Ramën dhe justifikoi patronazhistët”.

Berisha akuzoi Dumanin se ka marrë 5 milionë euro, që mos ta ekstradojë Kreshnik Farrukun.

Më tej, Berisha ngriti edhe një pyetje. “Kush e heton Altin Dumanin? Askush! Ai është bërë avokat privat i aferave të Edi Ramës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë