Shendet

Sezoni i gripit po afron. Sa keq mund të jetë këtë vit?

Nga Gazeta Si- Sezoni i gripit është në prag! Është e vështirë të parashikohet se sa i rëndë do të jetë sezoni i gripit çdo vit, por ekspertët e shëndetit publik thonë se mund të jetë i ashpër në Europë për shkak të niveleve të ulëta të vaksinimit dhe sinjaleve të hershme nga vende të largëta si Japonia dhe Australia.

Që nga mesi i tetorit, numri i pacientëve me simptoma të frymëmarrjes, të ngjashme me gripin “mbetet i ulët, por po rritet në shumicën e vendeve, siç pritet për këtë kohë të vitit”, sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), e cila gjurmon aktivitetin e gripit në Bashkimin Europian.

Instituti i Shëndetit Publik në Shqipëri ka raportuar se në vendin tonë ka rreth 12 mijë raste me infeksione respiratorë por ende nuk janë izoluar raste me grip.

Sezoni i gripit në Europë zakonisht zgjat nga mesi i nëntorit deri në fund të majit por modelet sezonale mund të kenë ndryshuar që nga pandemia e Covid-19.

Pas një sezoni gripi më të shkurtër se zakonisht, sezoni i vitit të kaluar ishte “jashtëzakonisht i madh”, thotë Colin Russell, kryetar i Grupit Shkencor Europian për Gripin.

Të dhënat e ECDC tregojnë se 11 vende po raportojnë aktivitet sporadik të gripit. Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar, zyrtarët e shëndetësisë kanë paralajmëruar se nivelet e gripit tashmë janë në rritje, veçanërisht tek fëmijët.

“Është koha e vitit ku fillon gjithçka”, thotë Anna Odone, drejtoreshë e Shkollës së Shëndetit Publik në Universitetin e Pavias në Itali.

Odone thotë se ashpërsia e sezonit në çdo vend të caktuar do të varet nga tre faktorë: numri i njerëzve të prekshëm, lloji i virusit që përhapet këtë vit dhe mjedisi. Për shembull, nëse është një dimër i gjatë dhe i ftohtë, njerëzit mund të kalojnë më shumë kohë brenda, duke lejuar që virusi të përhapet më lehtë.

Ekspertët e shëndetit tani po vëzhgojnë shenja të shpërthimeve të hershme të gripit në vendet ku njerëzit kanë kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin siç janë shkollat, institucionet e kujdesit për të moshuarit dhe burgjet për të përcaktuar se kur fillon vërtet sezoni i gripit. Kjo mund të ndryshojë në varësi të vendit.

Zyrtarët po monitorojnë gjithashtu se cilat lloje të gripit shfaqen. Vitin e kaluar, llojet H1 dhe H3 të gripit A, së bashku me gripin B/Victoria, ishin llojet kryesore në pjesën më të madhe të Europës.

Pjesë të tjera të globit mund të ofrojnë disa të dhëna. Në Australi dhe Zelandën e Re, një lloj i gripit A, i quajtur H3N2, është përhapur gjatë dy muajve të fundit, rreth fundit të dimrit. Ndërkohë, Japonia shpalli një epidemi gripi në fillim të këtij muaji, rreth pesë javë më herët se sa fillon zakonisht sezoni i gripit atje.

Megjithatë, është shumë herët për të thënë me siguri se cilat lloje do të jenë dominuese në Europë këtë vit.

“Tani jemi në modalitetin “prit dhe shiko””, tha Russell.

Rreziqet e gripit të lidhura me vaksinimin

Ndërsa gripi zakonisht nuk shkakton probleme serioze shëndetësore për njerëzit e rinj dhe të shëndetshëm, ai është një kërcënim i vazhdueshëm gjatë muajve të ftohtë, së bashku me sëmundje të tjera të frymëmarrjes, siç është virusi sincicial i frymëmarrjes (RSV), pneumonia dhe Covid-19.

Deri në një në pesë europianë infektohet me grip çdo dimër, dhe kjo shoqërohet me rreth 27,600 vdekje çdo vit në të gjithë BE-në.

Vaksinimi përpara sezonit të gripit është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga virusi dhe për të lehtësuar presionin mbi spitalet. Vaksina përditësohet çdo vit sepse mbrojtja nga vaksina dobësohet me kalimin e kohës, ndoshta për shkak të një kombinimi të dobësimit të imunitetit dhe evolucionit të virusit të gripit.

Megjithatë, normat e vaksinimit kanë mbetur prapa në të gjithë Europën në vitet e fundit si për gripin ashtu edhe për vaksinat rutinë të fëmijërisë, të cilat një zëdhënës i ECDC-së i përshkroi si “një shkak për shqetësim”.

Objektivi i mbulimit të vaksinimit kundër gripit në BE është 75 për qind, por gjatë sezonit të fundit të gripit, shumica e vendeve raportuan mbulim “shumë nën” 50 për qind, sipas ECDC. Nivelet më të larta u raportuan në Danimarkë (76 për qind), Irlandë (75 për qind), Portugali (71 për qind) dhe Suedi (68 për qind).

Ekspertët e shëndetit thonë se vaksinimi është veçanërisht i rëndësishëm për grupet me rrezik të lartë, duke përfshirë njerëzit me sëmundje të caktuara kronike, gratë shtatzëna, fëmijët e moshës gjashtë muaj deri në pesë vjeç, të moshuarit dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë