Politike

Berisha: Do kandidoj sërish për kreun e PD vitin e ardhshëm

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka konfirmuar se do të rikandidojë sërish për të qenë në krye të kësaj force politike në zgjedhjet e 2026.

“Sigurisht, pyetje është kjo”, tha Berisha teksa shtoi se gara mes kandidatëve do të jetë e hapur.

Duke iu përgjigjur një deklarate të Besart Xhaferrit, sipas të cilit kreu i PD-së, duhet të ikë vitin e ardhshëm nëse nuk fakton farsën zgjedhore të 2025, Berisha tha se farsa tashmë është faktuar nga raporti i ODIHR-it.

“Çdo deputet i PD do të jetë i lirë të shprehë çdo mendim që ka. Natyrisht interpretimi i nenit të statutit duhet të jetë i saktë, statuti bën fjalë për zgjedhje dhe jo për farsë. Që ta mbyllim këtë punë, do të jetë anëtarësia e PD që do t’i bëjë interpretimin përfundimtar. Do jetë një garë për kryetarin e PD. Sigurisht që unë do jem. Gara do të jetë e hapur”, tha Berisha.

Ai komentoi edhe emërimin e ish-deputetes së PD-së, Zheni Gjergji, e cila u emërua Drejtoreshë e Spitalit në Elbasan. Sipas tij, ajo shkelmoi besimin e demokratëve.

“Nuk është një raport i individëve me Sali Berishën por me ata që i kanë votuar e mbështetur. Për Sali Berishën për ata që shkelmojnë mbi këtë mbështetje janë jashtë kësaj force politike.

Ata që kanë mbështetur këta individë janë pa punë, në kushte të vështira, u ka shërbyer këtyre, janë pak 3-4 vetë, kalojnë në partinë e krimit që i përkasin. Ky është koment jo vetëm për të, por për të gjithë ata 3 a 4.″, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë