Nga Gazeta Si- Komisioni i Ekonomisë ka kaluar në parim projektligjin për “Barazinë gjinore”, pavarësisht kërkesës së deputetëve demokratë për të lënë pezull projektligjin derisa të bëhen ndryshime që ato i shohin të rëndësishme.
Deputeti Enno Bozdo tha në komision se ky projektligj hap rrugën për një çështje që është shumë e nxehtë pasi përfshin qëndrime parimore dhe sipas tij, nuk mund t’i prezantohet njerëzve thjeshtë si një projektligj.
“Me këtë projektligj u është hapur dera njerëzve që kanë probleme mendore. Ky projektligj është hapi i parë ndaj ndryshimit sepse mund të na vijë një tjetër projektligj ku mund të deklarohen mace ose qen. Ka ndodhur dhe u është hapur rruga me këto projektligje. Janë njerëz me probleme mendore”, tha Bozdo, duke shtuar se nuk ka përkatësi gjinore dhe nuk mund të ketë identitet gjinor përveç burrë dhe grua.
Ndërkohë, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi, gjatë diskutimeve theksoi se projektligji nuk krijon kategori të reja juridike të gjinive, por ndjek një qasje të integruar ndaj diskriminimit me bazë gjinore.
Ajo sqaroi se objektivi është eliminimi i pabarazive në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe ekonomike, pa devijuar nga përkufizimet binare “burrë” dhe “grua”.
Ky projektligj solli shumë reagime, me persona që ishin kundër përfshirjes së termave si “gjithëpërfshirës, përkatësi e shumëfishtë, diversitet etj”. Pas gjithë debateve, qeveria vendosi ta ndryshojë, duke hequr këto terma.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



