Nga Gazeta “SI”- John Cage, kompozitori eksperimental i shekullit XX, ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si e kuptojmë muzikën me veprën e tij më të famshme, 4’33”. Kjo pjesë, që shpesh keqkuptohet, përbëhet nga katër minuta e tridhjetë e tre sekonda ku një pianist nuk luan asnjë notë. Tingulli i vetëm është ai i ambientit: fryma e audiencës, një kollitje, një hap. Për Cage, çdo tingull është muzikë dhe 4’33” është një thirrje për të dëgjuar botën rreth nesh në një mënyrë të re.

Shumë kritikë dhe publik e kanë interpretuar këtë veprim si shaka, mashtrim apo provokim. Por Cage nuk synonte të mashtronte; ai synonte të sfidonte perceptimet tradicionale të muzikës dhe të shihte artin në çdo tingull që ekziston. Veprimi i tij nuk ishte dembel apo për fitim parash . Koncerti origjinal ishte për një kauzë të mirë, dhe Cage nuk mori shpërblim për krijimin e kësaj vepre. Ai punoi gjatë gjithë jetës për të krijuar kompozime komplekse dhe 4’33” ishte rezultat i katër vitesh konceptualizim dhe reflektimi mbi tingullin dhe heshtjen.
Kjo vepër ka lidhje të thella me filozofinë Zen dhe me lëvizjen Dada. Cage përpiqej të sillte audiencën në një eksperiencë ku heshtja dhe ambienti bëhen pjesë e muzikës. Ai sfidon idenë e dallimit midis artit dhe jetës, duke sugjeruar se perceptimi ynë e përcakton atë që konsiderojmë muzikë. Audienca bëhet pjesë e veprës; çdo kollitje, çdo lëvizje apo tingull i ambientit transformohet në një kompozim unik, të ndryshëm çdo herë që performohet.
Edhe pas dekadash, 4’33” vazhdon të nxisë diskutime, nga filozofia e perceptimit deri tek avant-garda dhe minimalizmi muzikor. Për shumë, kjo pjesë tejkalon një kompozim dhe vjen si një përvojë që ndryshon mënyrën se si dëgjojmë botën. Shumë artistë dhe kompozitorë bashkëkohorë e konsiderojnë atë si një pikë referimi të rëndësishme, që sfidon kufijtë e muzikës tradicionale dhe të perceptimit të audiencës.

Përmes 4’33”, Cage na fton të rishikojmë jo vetëm muzikën, por edhe jetën tonë të përditshme: të vëmë re tingujt që injorojmë dhe të kuptojmë se arti nuk është gjithmonë ai që prodhohet nga duart e kompozitorit, por shpesh ajo që ndodh rreth nesh. Në këtë mënyrë, John Cage shënoi historinë e muzikës, dhe krijoi një filozofi të dëgjimit që vazhdon të frymëzojë breza artistësh dhe studiuesish kudo në botë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



