Politike

Pas përplasjeve për UÇK, Rama dhe Kurti bashkë në Londër për Procesin e Berlinit

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama udhëton këtë të martë drejt Britanisë së Madhe ku do të marrë pjesë në samitin e radhës të procesit të Berlinit i cili do të mbahet të mërkurën në Londër.

Në këtë samit do të jetë i pranishëm edhe kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Të dy liderët pritet të ndajnë të njëjtën tryezë pas përplasjeve të fundit në distancë lidhur me tubimin në mbështetje të UÇK-së të mbajtur në Tiranë dhe qëndrimet për Gjykatën Speciale.

Kurti akuzoi Ramën se kishte shkuar me helikopter në Prishtinë për të bindur palët të votonin pro ngritjes së kësaj gjykate.

Por, Rama i kujtoi Kurtit se ai gjithmonë ka denoncuar farsën ndaj Thaçit dhe të tjerëve kudo dhe kurdo. 

Temat kryesore të samitit do të jenë siguria, zhvillimi ekonomik dhe migrimi, ndërsa liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor pritet të nënshkruajnë deklarata të përbashkëta mbi Tregun e Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimin në fushën e energjisë.

Procesi i Berlinit, i iniciuar nga Gjermania në vitin 2014, synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtojë integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë