Politike

Rama: Komisioni i Venecias, kontribut kyç në procesin e vettingut dhe Reformën në Drejtësi

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar rolin e Komisionit të Venecias në rrugëtimin demokratik të Shqipërisë.

“Komisioni i Venecias ka demokratizuar Shqipërinë“, deklaroi Rama, duke theksuar se për Shqipërinë, e cila doli nga një diktaturë e egër, roli i këtij institucioni ka qenë vendimtar në ndërtimin e një shteti të drejtë dhe të qëndrueshëm.

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e organizuar me rastin e 35-vjetorit të anëtarësimit të vendit në këtë institucio, Rama tha se rruga e Shqipërisë drejt BE është objektiv i pandryshueshëm, dhe bashkëpunimi me Komisionin e Venecias ka qenë një shtyllë qendrore në këtë proces.

“Komisioni i Venecias dhe demokracia shqiptare janë shokë materniteti”, tha Rama, duke e krahasuar lindjen e këtij institucioni si “një fëmijë i Europës së ribashkuar në vlerat e lirisë”, dhe demokracinë shqiptare si “një ëndërr e shumëëndërruar, që më në fund po sheh që të ketë të fortë shtetin e saj”.

Rama nënvizoi gjithashtu rëndësinë e rolit të Komisionit në reformat e mëdha që ka ndërmarrë vendi, sidomos në drejtësi dhe në sistemin zgjedhor.

“Opinioni i Komisionit të Venecias ka luajtur rol kyç në historinë demokratike të Shqipërisë”, u shpreh Rama, duke shtuar se vendi ka pasur nevojë për një “asistent të paanshëm”, në momente kyçe të tranzicionit dhe reformave.

Ai përmendi në mënyrë të veçantë kontributin e Komisionit në përmirësimin e Kodit Zgjedhor dhe në garantimin e standardeve demokratike, si dhe rolin e tij historik në mbështetjen e Reformës në Drejtësi.

“Historia e zhvillimit demokratik në Shqipëri është ngushtë e lidhur me forcimin e Komisionit të Venecias”, u shpreh Rama, duke shprehur mirënjohjen e qeverisë shqiptare për partneritetin afatgjatë dhe frytdhënës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë