Politike

Ofendoi Peleshin/ Gazment Bardhi përjashtohet me 15 ditë nga punimet e Kuvendit

Nga Gazeta ‘Si’– Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është përjashtuar nga punimet e Kuvendit për një afat prej 15 ditësh.

Vendimi është marrë nga Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, pas shqyrtimit të sjelljes së Bardhit në një nga seancat e fundit parlamentare.

Kujtojmë që Partia Socialiste kishte kërkuar përjashtimin me 30 ditë të Gazment Bardhit me argumentin se ky i fundit kishte ofenduar Peleshin.

Përplasja e kreut të grupit parlamentar të PD me Niko Peleshin në seancën e së enjtes erdhi për shkak të procedurës, teksa para ligjvënësve raportonte Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Bardhi kërkoi që të ishin vetë deputetët që të parashtronin në seancë pyetjet për Komisionerin, por Peleshi refuzoi duke iu përmbajtur vetëm pyetjeve me shkrim të dorëzuara më herët nga deputetët.

Përplasja verbale mes tyre çoi në përjashtimin e Bardhit nga salla, por për shkak të refuzimit të demokratit për të lënë sallën, Peleshi kaloi në votim dhe mbylli seancën, sërish pa mbyllur diskutimet për rendin e ditës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë