Politike

Mandati i Sonila Bejtjas, Gjykata Kushtetuese i hap rrugë presidentit Begaj për shpalljen e vakancës

Gazeta Si – Kërkesa e presidentit të vendit, Bajram Begaj për t’i ndërprerë mandatin gjyqtares së Kushtetueses, Sonila Bejtja, të cilës i mbaron mandati si anëtare në vitin 2025, është pranuar nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas burimeve, pas këtij vendimi, Kushtetuesja do të shpallë vakancën. Ndërsa kreu i shtetit duhet të nisë procedurat për anëtarin që do të zëvendësojë Bejtjen, e cila synonte një mandat të plotë, deri në vitin 2028.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar interpretimin mbi mandatin e anëtarëve aktualë, duke theksuar se, në këtë fazë tranzitore, do të zbatohet parimi i përtëritjes së pjesshme të përbërjes së saj, çdo tre vjet me nga 3 anëtarë.

Ky parim vjen si rrjedhojë e nevojës për rikthimin e funksionimit të rregullt dhe të balancuar të institucionit pas krizës kushtetuese të viteve të fundit.

Në të ardhmen do të zbatohet parimi i paprekshmërisë së mandatit 9-vjeçar, siç parashikohet nga Kushtetuta, por për rastet aktuale të ndërthurura me fazën e rindërtimit institucional, prevalon nevoja për përputhje me kalendarin kushtetues të përtëritjes së anëtarëve.

Kështu, gjykata interpretoi se konkretisht 3 gjyqtarët që zëvendësohen në vitin 2025 janë: Holta Zaçaj, Elsa Toska dhe Sonila Bejtja.

Në vitin 2028 ikin Fjona Papajorgji, Marsida Xhaferllari dhe Sandër Beci, ndërsa në vitin 2031 largohen Gent Ibrahimi, Marjana Semini dhe Ilir Toska.

Interpretimi i kësaj të enjteje për fillimin e mandatit, mund të prek me disa muaj kohëqëndrimin e tyre në detyrë. Ndërsa gjyqtarët që do t’i zëvendësojnë, do të gëzojnë këtej e tutje një mandat të plotë 9 vjeçar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë