Nga Gazeta ‘Si’- Lëvizja Vetëvendosje ka vijuar replikat në distancë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Në një tjetër reagim, një ditë para mbajtjes së protestës në mbështetje të UÇK-së në Tiranë, LVV-ja ngre disa pikëpyetje ndaj kryeministri Rama.
Ajo kërkon nga Rama të deklarojë nëse e ka mbështetur Gjykatën Speciale dhe nëse ka ngritur shqetësimet e padrejtësisë që po i bëhen Kosovës në Hagë, në OKB, në Këshillin e Europës, në OSBE apo në NATO.
“Më konkretisht ai mund të tregojë:
1. Ka ardhur apo jo me helikopter në Kosovë për të bindur deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale? Pra, a e ka mbështetur dhe shtyrë ai themelimin e Gjykatës Speciale?
2. Cili ka qenë dhe vazhdon të jetë qëndrimi i LVV rreth Gjykatës Speciale? E ka votuar dhe mbështetur, apo e ka refuzuar dhe është përndjekur duke protestuar kundër themelimit të saj?
3. Në cilat raste dhe në cilat data, në cilat organizata ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota, apo pjesëmarrëse në takimet zyrtare, Rama ka ngritur shqetësimet e tij rreth padrejtësisë që po i bëhet Kosovës në Hagë? Kur i ka ngritë këto shqetësime në OKB, kur në Këshillin e Evropës, kur në OSBE dhe kur në NATO?
Të tjerat janë vetëm për konsum personal e madje as për konsum të brendshëm politik“, shkruan LVV në një reagim përmes zëdhënësit të saj Arlind Manxhuka.
Protesta e organizuar nga veteranët e UÇK-së në mbështetje të Hashim Thaçit dhe tre të tjerëve që po gjykohen në Gjykatën Speciale të Hagës përplasi kryeministrin Edi Rama me atë të Kosovës, Albin Kurti.
Rama iu përgjigj Kurtit pas një postimi të bërë nga partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, në të cilën thuhej se Rama kishte shkuar me helikopter në Prishtinë për të bindur palët të votonin pro ngritjes së kësaj gjykate.
Por, Rama, teksa thekson se nuk do të merrte pjesë në protestë për të shmangur dëmtimin dhe politizimin e saj, i kujtoi Kurtit se ai gjithmonë ka denoncuar farsën ndaj Thaçit dhe të tjerëve kudo dhe kurdo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



