Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama theksoi se besimi për mbylljen e negociatave me Bashkimin Europian në vitin 2027 është i fortë dhe i bazuar në realitete konkrete.
I pyetur mbi deklarata e mëparshme kur ‘akuzonte’ BE-në për burokraci, është përgjigjur se atëherë ka qenë një tjetër realitet ndërsa sot Shqipëria është pjesë e negociatave dhe me një punë të shpejtë, ka arritur sipas tij të përparojë bindshëm drejt arritjes së objektivave.
“Përsa i përket çfarë kam thënë unë për BE-së, ka një kohë relativisht të gjatë që i kam thënë ato që kam thënë dhe të cilave nuk i heq asnjë presje, pasi në atë periudhë KE i propozonte Këshillit që të hapeshin negociatat dhe Këshilli refuzonte për shkak të 2 a 3 vendeve që po bëheshin pengesë këtij procesi. Sot jetojmë prej disa kohësh që jetojmë në një realitet tjetër në raport me Shqipërinë dhe BE”, tha Rama.
Ai shtoi se në Bruksel nuk të dhuron njeri asgjë dhe shtoi se prej disa kohësh nuk ka lëkundje fare për mbështetjen e anëtarësimeve të reja.
“Viti 2027 nuk është një vit që e pamë ne në ëndërr dhe tani po jua tregojmë shqiptarëve. E kemi përcaktuar së bashku me KE si objektivin e negociatave. Ky objektiv lidhet me detyrat që ne bëjmë këtu. Nëse vazhdojmë kështu me këtë ritëm e këmbëngulje e sukses, ne do t’ia dalim që në 2027 të bëjmë detyrën tonë. Jo e besoj, por e kam bindje absolute që është në dorën tonë që ne të arrijmë objektivin tonë të 2027-s se kam bindjen që presidentja nuk lëviz nga pozicioni i saj”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




