Politike

Reformat për integrimin në BE/ Von der Leyen: Jam e impresionuar nga progresi i Shqipërisë

Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se Shqipëria ka ecur me shpejtësi rekord drejt integrimit europian dhe gjithashtu shtoi se do të mbështesë vendin tonë për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027.

“Shqipëria është në rrugën e duhur për integrimin në Bashkimin Europian. Dua të theksoj që është një progres i mrekullueshëm, shpejtësi rekord. Qëllimi juaj është të mbyllni negociatat në vitin 2027 dhe ne do të jemi me ju në çdo hap të kësaj rruge”, tha Von der Leyen në Tiranë, në konferencë për mediat me Kryeministrin Rama.

Gjithashtu ajo theksoi se BE planifikon të hapë grup-kapitullin e fundit të Shqipërisë për në BE këtë vjeshtë.

“5 nga 6 grupkapitujt janë të hapura, ne planifikojmë të hapim të fundit këtë vjeshtë. E di edhe përpjekjen tuaj personale dhe të ekipit që keni bërë. Ne do jemi me ju në çdo hap të kësaj rruge”, u shpreh Presidentja e Komisionit Europian.

Më tej, Von der Leyen theksoi se është e impresionuar me reformat e Shqipërisë për në BE.

“Ne të gjithë themi që kushti i zgjerimit bazohet ne merita dhe Shqipëria i ka të gjitha meritat. Siç i thashë është një proces normal dhe të punojmë me reformat për Integrimin në BE. Për mua është impresionuese të shoh progresin këto 2-3 vite. Populli do integrimin në BE, dhe që thotë që këto reforma janë për ne, që të forcojmë demokracinë dhe të bëhet pjesë e BE. Kjo është e dukshme, Unë përmenda SEPA, roaming dhe planin e rritjes që po funksionon mjaft mirë.

Prandaj unë mund të them që jam e impresionuar që deri në vitin 2027 Shqipëria të bëhet pjesë e BE”., tha Von Der Leyen.

Ajo theksoi se 90% e shqiptarëve do të votonin pro anëtarësimit, duke e cilësuar këtë si një sinjal të qartë për përkushtimin e vendit ndaj vlerave evropiane.

 “Të gjithë janë me ne dhe me ju,” u shpreh von der Leyen, duke nënvizuar se gjeneratat e reja në Shqipëri do të jetojnë në një Bashkim Europian të fortë dhe të bashkuar.

Gjithashtu ajo vuri theksin në tre pika kryesore, sa i takon Shqipërisë.

Së pari, në dhënien e afro 1 miliard euro nga BE, në shërbim të reformave.

Së dyti, u ndal te sistemi SEPA duke thënë “ju e realizuat”.

Së fundmi, deklaroi se vitin e ardhshëm do të hiqen të gjitha tarifat e Roaming mes BE-së dhe Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë