Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama, pas takimit me presidenten e KE-së, Ursula Von der Leyen tha se Shqipëria po bën hapa të shpejtë drejt BE-së.
Në fjalën e tij, Rama vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin Europian dhe rëndësinë që i jep Ballkanit Perëndimor.
Rama theksoi se diskutimet janë përqendruar në ecurinë e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, të cilat, sipas tij, po ecin me ritme të kënaqshme dhe shpresëdhënëse.
“Me presidenten kemi pasur një bashkëbisedim që ka prekur të gjitha temat e interesit të përbashkët, dhe natyrisht që për ne, mbetet një moment shumë i rëndësishëm dhe që ne vlerësojme shumë fakti që presidentja dhe komisioni aktual i japin një rëndësi të posaçme Ballkanit Perëndimor, dhe japin një vëmendje të posaçme procesit të përafrimit të vendeve tona me BE.
Dhe kemi folur për ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë me BE, që në këndvështrimin tonë por edhe në sa unë dëgjova nga presidentja, është duke ecur me shumë mbarësi dhe me shumë shpejtësi dhe nga ana tjetër, folëm edhe për planin e ri të rritjes që BE, Komisioni i ka vënë në dispozicion BP duke i dhënë mundësinë çdo vendi që përkundër axhendës së reformave dhe realizimit të objektivave në kuadër të kësaj axhende të financohet nga BE, në mbështetje të thellimit të mëtejshëm te reformave.
Më vjen mirë se është në këtë pikë morën vlerësim pozitiv dhe do të vazhdojmë të kryejmë me përpikmëri dhe këmbëngulje të gjithë detyrat që kemi marrë përsipër”, tha Rama.
Rama falenderoi presidente e KE, duke u shprehur se Von der Leyen u rikthye e palëkundur në mbështetjen e procesit të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




