Politike

Debati për nderimin e Enver Hoxhës/ Peleshi: Ndjesë për perceptimin e gabuar!

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi në çelje të seancës plenare ka kërkuar ndjesë në emër të institucionit që përfaqëson për përfshirjen e diktatorit Enver Hoxha në listën e figurave të tetorit.

Peleshi ka theksuar se përfshirja e Enver Hoxhës në listën e figurave të tetorit, nuk është përfshirë me kontekst negativ, por është përmendur vetëm për shkak të datës së lindjes.

Ai tha se teksti është nxjerrë pa interpretim nga fjalori enciklopedik i shkencave të Shqipërisë.

“Kam vlerësuar më shumë seriozitet dhe kërkesat për qëndrim. Në emër të Kuvendit dua të shpreh keqardhjen dhe ndjesën për keqkuptimin dhe perceptimin  e krijuar pavarësisht qëllimit të thjeshtë informativ të materialit pa pasur synimin të mbroj apo vlerësoj ndonjë figurë të veçantë, aq më tepër Enver Hoxhës që është përmendur vetëm për shkak të datës së lindjes.

Teksti është nxjerrë pa interpretim nga fjalori enciklopedik. Prezantimi i këtij materiali ka krijuar perceptimin e gabuar dhe nxitur shqetësim veçanërisht te familjet e viktimave.  

I kam kërkuar Institutit Parlamentar një rishikim të plotë të procedurave të brendshme të bibliotekës së Kuvendit për t’u siguruar që materialet e ardhshme të shoqërohen me kontekst të qartë historik”, tha Niko Peleshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë