Politike

Rutte: Shkelja e hapësirës kibernetike mund të aktivizojë nenin 5!

Nga Gazeta ‘Si’- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përmes një videomesazhi në Konferencën Kibernetike të aleancës që po mbahet në Tiranë, tha se po punojnë më shumë kundër kërcënimeve kibernetike.

Ai theksoi se në Belgjikë do të ngrenë një qendër të integruar kibernetike të NATO-s.

Rutte përmendi gjithashtu se shkelja e një hapësire kibernetike të një vendi të NATO-s, mund të aktivizojë nenin 5 të aleancës ( një sulm ndaj një vendi të NATO-s, është sulm ndaj të gjithëve vendeve anëtare).

“Sot tastiera është armë lufte, shënjestron shoqëritë tona çdo ditë, aktorë shtetërore dhe jo shtetërorë punojnë kundër nesh në hapësirën kibernetike, duke u rrekur që të prishin mbrojtjet tona, të ndërhyjnë në shërbimet qeveritare.

Në përgjigje të kësaj, NATO vazhdon të bëhet më e fortë në botën digjitale. 10 vjet më parë, kibernetika u bë fushë operative.

Ne jemi stërvitur, kemi kryer operacione në hapësirën kibernetike dhe kundërshtarët e dinë se shkelja e hapësirës mund të vënë në lëvizje nenin 5.

Në Hagë, në verë ramë dakord që do të arrijmë shpenzime 5% për mbrojtjen pro edhe për investime të tjera. Kjo do të thotë se mbrojtja jonë do të bëhet më e fortë dhe më rezistente ndaj kërcënimeve kibernetike. Po kështu vendet janë përgjegjëse për mbrojtjen por NATO ofron një rrjet unik përmes të cilit aleatët mund të reagojnë ndaj kërcënimeve kibernetike”, tha ai.

Rutte shtoi se në NATO askush nuk qëndron vetëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë