Nga Enkeleid Llanaj-Vrasja e një gjyqtari brenda në sallën e gjyqit duhej të kishte nxjerrë shqiptarët në rrugë. Shqipëria duhej të kishte bërtitur. Mallkimi i gjithsecilit prej nesh që në këtë vend nuk jetohet, nuk duhet të tingëllonte si një ogurzi, përkundrazi. Sepse nëse vritet një gjyqtar — ai që mban në dorë drejtësinë — atëherë secili prej nesh është i pambrojtur dhe jeta jonë është në rrezik.
Por kjo britmë nuk erdhi. Pas disa reagimeve të zakonshme institucionale dhe komenteve në media, jehona u shua shpejt. Pse? Sepse jemi kthyer në një komb-kufomë — të ngurtësuar nga apatia, të mpirë nga përditshmëria, të paralizuar nga lodhja e vazhdueshme dhe pritjet e gjata. Një trup i gjallë në pamje, por me shpirt të vdekur, që s’ka më forcën të qajë, të reagojë apo të luftojë.
Kemi rrugë të reja, shërbime të përmirësuara, teknologji që hyjnë në jetën tonë. Por ritmi i të bërit të gjërave është aq i ngadaltë, saqë për të ndjerë frytet e tyre duhet të presësh më shumë se një jetë të tërë. Ne nuk mund ta harxhojmë jetën duke pritur qetësinë në një jetë tjetër.
Shumë prej nesh do të enden sërish në korridoret e gjykatave, në pritje të vendimeve që zvarriten me vite. Të tjerë luftojnë për bukën e përditshme, për një punë që nuk mjafton për të jetuar. Të tjerë shajnë dhe fyjnë këtë shoqëri urbane me trafik të rënduar dhe, alla shqiptare, që në vend të zgjidhjeve për shumë vite po shkon drejt rëndimit. Të tjerë janë lodhur nga mungesa e një shtëpie për ta blerë ose marrë me qira, sepse çmimet kanë shkuar më lart se maja më e lartë e shumëkatësheve të Tiranës. Jemi të lodhur nga mungesa e shërbimeve të plota shëndetësore dhe çmimet e banesave që fluturojnë mbi çdo logjikë. Shumë fëmijë largohen nga vendi, dhe shpresa duket mall shumë i shtrenjtë për t’u poseduar.
Jeta në Shqipëri është një spiralë e pafundme sfidash: zgjidh një problem, dalin tre të tjerë. Dhe mbi plagët e vjetra shtohen plagë të reja. Ne jemi një komb që ecën, por ecja është kaq e ngadaltë, saqë shpesh ndjehemi si një kufomë që përpiqet të lëvizë.
Në këtë gjendje, një vrasje ndoshta na trondit për pak, por nuk na alarmon më. Dhe kjo është gjëja më frikshme: kur e keqja bëhet zakon dhe kur një komb humbet shpirtin e tij.
Kjo apati nuk lindi vetvetiu. Ka rrënjë dhe autorë që e ushqejnë këtë gjendje. Kur të kemi guximin të kuptojmë kush e mbolli këtë murtajë shoqërore, atëherë do të kemi ngritur kokën dhe do të shikojmë më larg se përditshmëria që na mbyt. Dhe vetëm atëherë do të kuptojmë se nuk mund të presim një jetë tjetër për të gjetur qetësinë që na takon në këtë jetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



