Politike

Berisha: Nuk shkojmë në Komisione të Posaçme pa praninë e ODIHR dhe ‘Venecias’

Nga Gazeta ‘Si’- Kryedemokrati Sali Berisha ka paralajmëruar bojkot në dy komisionet për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, që u propozuan nga mazhoranca socialiste.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD, ai tha se nuk do të marrin pjesë në asnjë Komision të Posaçëm parlamentar pa praninë e ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

“Pretendojnë për dy komisione, asnjë komision pa Kongresin e autoriteteve rajonale dhe lokale për reformën territorial dhe pa ODIHR dhe Komisionin e Venecias nuk marrim pjesë. Të vijnë institucionet ndërkombëtare. Është e gabuar se marrin vitin 2008, e bazojnë në një mashtrim qëndrimin e tyre. Të vijë dhe të marrin ODIHR, specialistë nga Venecia, ekspertë edhe në të drejtën elektorale dhe jemi të hapur të zbatojmë rekomandimet edhe të tjera”, tha Berisha.

Më tej ai nënvizoi se nuk do të ulen në tryezën e komisioneve me Fatmir Xhafajn dhe Damian Gjiknurin si bashkëkryetarë nga PS, duke thënë se dy ligjvënësit socialistë duhet të ishte në burg prej kohësh.

“Këta nuk kanë interes reformash. Dinë vetëm si të shkatërrojnë çdo gjë që është, që të qëndrojnë në pushtet”, shtoi Berisha.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë