Shendet

5 mijë gra jetojnë me kancer gjiri në Shqipëri, 2.1% më shumë raste nga viti në vit

Nga Gazeta Si- Kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm i diagnostikuar globalisht dhe një nga shkaqet kryesore të vdekjeve nga kanceri tek gratë.

Në Shqipëri, kanceri i gjirit përbën rreth 11 për qind e të gjitha rasteve të reja të kancerit çdo vit, duke zënë vendin e parë për risk individual te gratë.

Sipas raportit të fundit në ISHP, aktualisht, vlerësohet se në vend jetojnë rreth 5,000 gra me kancer gjiri, ku vetëm në vitin 2024 u diagnostikuan 805 raste të reja te femrat dhe 14 te meshkujt.

Nga viti 2015 deri në vitin 2024, incidenca ka pësuar një rritje prej 23%, me një rritje mesatare vjetore prej 2.1%.

Rreziku i diagnostikimit rritet ndjeshëm me moshën, duke arritur kulmin në grupmoshën 50–70 vjeç. Analizat tregojnë se rritja e përgjithshme e incidencës shpjegohet kryesisht nga rastet mbi 50 vjeç, të cilat janë shtuar me 3.6% mesatarisht çdo vit, ndërsa tek moshat nën 50 vjeç është vërejtur një ulje mesatare prej 1.9% në vit.

Mosha mediane në momentin e diagnozës është rritur nga 55 vjeç në vitin 2015 në pothuaj 59 vjeç në vitin 2024.

Bashkë me rastet është rritur edhe numri i mamografive në Shqipëri, nga rreth 5 mijë në vitin 2014 në mbi 25 mijë gjatë viteve 2022–2024.

Në botë, cdo vit raportohen mbi 2.3 milion raste të reja dhe rreth 666 mijë vdekje, duke e renditur kancerin e gjirit në vendin e dytë për nga incidenca pas kancerit të mushkërive dhe në vendin e katërt për nga vdekshmëria.

Europa, ndonëse përfaqëson vetëm 9% të popullsisë botërore, mban një peshë disproporcionale me mbi një të katërtën e rasteve dhe mbi një të pestën e vdekjeve nga ky kancer.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë