Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me ngjarjen e ndodhur në sallën e gjyqit, ku u vra gjykatësi Astrit Kalaja, tha se këto janë pasojat që, sipas tij, ka prodhuar reforma në drejtësi.
Duke e cilësuar vrasjen e gjykatësit si një simbol të triumfit të vetëgjyqësisë mbi sistemin ligjor, Berisha theksoi se askush nuk ka të ardhme në një shoqëri ku drejtësia zëvendësohet me dhunë.
Ai shtoi se kjo ngjarje e rëndë është sipas tij një dëshmi e dështimit të plotë të reformës në drejtësi, e iniciuar dhe mbështetur nga Xhorxh Soros dhe “sorosianët”, e cila, sipas tij, ka degraduar sistemin përmes një vettingu të korruptuar.
Berisha paralajmëroi se stoku i dosjeve në pritje, mungesa e gjyqtarëve dhe vonesat e theksuara në proceset gjyqësore janë sipas tij duke shtuar ndjeshëm rastet e vetëgjyqësisë në vend.
“Me këtë rast theksoj se ekzekutimi i gjykatësit Kalaja në sallën e gjyqit, njëlloj sikur të ishte në shesh apo rrugë të qytetit, dëshmon gjithashtu dështimin e plotë të reformës së sistemit të drejtësisë nga Xhorxh Soros dhe sorosianët e tjerë, të bazuar kjo në korrupsionin më të madh kombëtar dhe ndërkombëtar, reformës që de facto privoi qytetarët shqiptarë nga një proces i drejtë ligjor, di asnjëherë në tërë historinë e tyre, si asnjëherë në historinë e Europës pas luftës.
Me vetingun gjueti shtrigash, të bazuar në korrupsionin gjysmë dhe 1 milion euro pagesa në Shqipëri, sot për shkak të vakuumit që solli ky proces është krijuar një stok prej 230 mijë dosje.
Sot, qytetarët shqiptarë, që para reformës së Xhorxh Sorosit, duhet të prisnin dy gjer në 4 vite për një vendim gjyqësor, sipas të dhënave zyrtare të sotme, duhet të presin 4 deri në 6 herë më shumë apo mbi 15 vite.
Stoku i dosjeve për t’u shqyrtuar kërkon sipas ekspertëve rreth 20 vite.
Rasti i djeshëm është rasti më dramatik i vetëgjyqësisë, por e vërteta është se rastet e vetëgjyqësisë për shkak të këtij sistemi të falimentuar, po shtohen çdo ditë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




