Trashëgimi

Kisha e Shën Nikollit, Kurjan / Një thesar 700-vjeçar që ruan historinë e Myzeqesë

Nga Gazeta “SI”– Në kodrat e qeta të fshatit Kurjan, në periferi të Rroskovecit, diku mbi ullishtet e gjelbra që na kujtojnë kohërat e begata të bujqësisë, ngrihet Kisha e Shën Nikollit, një monument 700-vjeçar i trashëgimisë sonë kulturore, e shpallur monument kulture me numër “6”, më 15 janar 1963.

Kjo kishë, e ndërtuar në shekullin XIII–XIV, përfaqëson një kombinim të rrallë të arkitekturës bizantine dhe artit mesjetar shqiptar. E vendosur në një kodër të vetmuar, ajo përbën një vlerë historike dhe shpirtërore për banorët e zonës.

Nga kodra ku ngrihet kisha, pamja është mbresëlënëse ku  mund të shihen qartë fshati Kurjan dhe fshatrat përreth si Çerven, Luar, Stum e të tjerë, ndërsa nga ana perendimore shtrihet fusha e myzeqesë. Kisha është ndërtuar me mure prej tulle të kuqe dhe gurësh të skuadruar, të punuar me mjeshtëri të rrallë.

Struktura e saj arkitektonike përbëhet nga naosi (salla) dhe narteksi (parasalla), që ruajnë tiparet karakteristike të stilit bizantin. Gjatë shekujve, kupola origjinale është shembur, por falë restaurimeve të mëvonshme është zëvendësuar me një çati prej druri dhe tjegullash. Po ashtu, kishës i mungojnë portiku perëndimor dhe dy portikët e vegjël në veri e jug të naosit, nga të cilët sot kanë mbetur vetëm bazamentet dhe disa kapitele antike të stilit dorik.

Kisha ka katër dyer, dy në lindje, një në veri dhe një në jug. Ajo ndodhet shumë pranë qendrës së fshatit, vetëm pak metra larg rrugës kryesore dhe shkollës së mesme të përgjithshme “Didin Bishani”, gjë që e bën lehtësisht të arritshme për vizitorët dhe studiuesit.

Në brendësi, Kisha e Shën Nikollës ruan një pasuri të çmuar afreskesh, të cilat u zbuluan gjatë një ekspedite të Universitetit të Tiranës në vitin 1956. Sipas mbishkrimeve të gjetura, afresket janë pikturuar në vitin 1578 nga ikonografi Nikolla Onufri dhe ndihmësi i tij Joani.

 Pikturat mbartin influenca të shkollës së Pojanit, veçanërisht në skenën e rrallë të “Kungimit të Marisë Egjiptiane nga Jerondi Zosima”, duke reflektuar një ndërthurje të artit bizantin me elemente të traditës vendase. Fragmentet e afreskeve janë të krahasueshme me ato të trapezarisë së manastirit të Pojanit, veçanërisht në motivin e imitimit të pllakave mermeri në formë kënddrejtë.

Një mbishkrim në portën perëndimore dëshmon se kisha është restauruar në prill të vitit 1782, duke e mbajtur gjallë ndër shekuj këtë dëshmi të besimit e artit shqiptar.

Në shekullin XIX, sipas mitropolitit të Beratit Anthim Aleksudhi (1855–1887), Kisha e Shën Nikollës shërbente si qendër fetare për fshatrat Çerven, Luar, Kurjan, Xhuxhan, Poçest, Allambrez dhe Ngjeqar, të cilat përbënin enorinë e Çervenit me 66 familje ortodokse. Ritet fetare kryheshin rregullisht në këtë faltore, duke i dhënë asaj një rol të rëndësishëm shpirtëror në komunitet.

Por përveç vlerës historike e artistike, Kisha e Shën Nikollit është sot edhe zemra e jetës sociale të fshatit Kurjan. Çdo vit, në fund të tetorit, në oborrin e saj organizohet Festa e Ullirit, një traditë që bashkon banorët e zonës dhe vizitorë nga fshatrat përreth. Kurjani njihet si “fshati i agrumeve”, por veçanërisht si fshati i ullirit, dhe gjatë kësaj feste Bashkia Rroskovec organizon aktivitete ku prezantohen metoda të vjetra të prodhimit të vajit të ullirit dhe gatime tradicionale që e përdorin atë.

Festa zhvillohet gjithmonë në oborrin e kishës, pranë ullirit të lashtë që rritet aty prej shekujsh. Banorët besojnë se ky ulli “besnik” mban një legjendë të pashkruar, historinë e së cilës askush nuk e ka zbuluar ende , ashtu si shumë sekrete të tjera që kjo kishë e lashtë vazhdon të ruajë në heshtje, mes gurëve të saj të kuq dhe aromës së vajit të ullirit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë