Një vit për t’u harruar kjo 2018-të për mbrojtësit dhe kapitenin e kombëtares shqiptare të futbollit, Mërgim Mavraj, që rrezikon të mbetet sërish pa një ekip. Mbrojtësi 32-vjeçar në merkaton e verës firmosi një kontratë për 2 vite me klubin se Superligës greke, Aris në Selanik. Kalimi i tij në këtë ekip u prit shumë mirë dhe me entuziazëm nga tifozët e klubit grek, për vetë karrierën e pasur që Mavraj kishte pasur në Gjermani, ku për disa vite kishte qenë kapiten në disa skuadra në Bundesligë. Por jo çdo gjë ka shkuar sipas pritshmërive dhe Mavraj ka filluar të ketë problemet e para.

Në fakt për futbollistin kuqezi problemi është goxha i rëndë, pasi drejtuesit e ARIS kanë vendosur që ta nxjerrin në shitje. Skuadra që për momentin është në vendin e 7-të në Superligën greke kërkon energji të reja për të kapur objektivin e pjesëmarrjes në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm dhe Mavraj nuk shikohet më si një element i vlefshëm. Bashkë me Mavrajn janë edhe disa futbollistë të tjerë që do duhet të largohen gjatë kësaj merkato dimri.

Për pjesën më të madhe të futbollistëve ARIS ka gjetur gjuhën e përbashkët që ata të largohen, por nuk ka për të qenë kaq e lehtë edhe për Mavrajn. Kapiteni i kombëtares shqiptare e di shumë mirë se sa shumë e vështirë është që të gjejë një ekip të ri në janar dhe për këtë arsye nuk dëshiron që të largohet.
Në krahun e tij mbrojtësi ka edhe kontratën e cila është e vlefshme deri në fund të sezonin 2019-2020. Paraqitet një periudhë delikate për mbrojtësin që do duhet të bindë trajnerin dhe drejtuesit e ARIS që meriton një shans të dytë. Sakaq për futbollistin tjetër shqiptar te ARIS, Migjen Basha deri më tani nuk janë shfaqur probleme dhe ai vijon të jetë në planet e klubit edhe për pjesën e mbetur të sezonit.

Probleme edhe për Sahitin dhe Cikalleshin
Por në një moment delikat këtë merkato dimri nuk është vetëm Mavraj. Edhe Suad Sahiti e Sokol Cikalleshi kanë probleme me ekipet e tyre. Ish-mesfushori i Skënderbeut, Sahiti që në verë kaloi te AEL në Greqi mund të largohet nga ky janar, pasi nuk pëlqehet më nga drejtuesit e klubit. Sahiti ishte një nga më të mirët në kampionatin shqiptar vitin e shkuar, por në këto muaj në Superligën greke nuk ka mundur të shfaqë vlerat e tij.

Edhe sulmuesi kavajas, Sokol Cikalleshi mund të ndërrojë ekip në këtë merkato, pasi skuadra e tij Goztepe nuk e dëshiron më. Cikalleshi kaloi në klubin e Superligës turke gjatë verës së shkuar, por deri më tani në 7 ndeshje ku është aktivizuar nuk ka mundur dot të shënojë asnjë gol. Probleme për të gjetur ekip do të ketë edhe mbrojtësi nga Kumanova, Naser Aliji. Ky i fundit është larguar nga Dinamo e Bukureshtit dhe për momentin është pa ekip.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





