Gazeta Si – Një 62-vjeçari shqiptar i shpallur në kërkim që prej vitit 2016 në Itali, është arrestuar në qytetin e Tunjas në Kolumbi i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.
Genti Krasniqi, ishte në listën e personave më të kërkuar nga drejtësia italiane, pasi në vitin 2016 në një apartament luksoz që përdorte në Milano, iu zbuluan sasi të mëdha heroine që i kishte transportuar nga Tirana. Në atë kohë ai arriti të arratisej nga Italia dhe që prej atëherë është në kërkim ndërkombëtar.
Krasniqi po qëndronte në një vend të vogël, duke u paraqitur si turist i zakonshëm, ndërsa në realitet ishte një prej personave më të kërkuar në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Arrestimi i tij u bë i mundur pasi ai tentoi të kryente një procedurë në zyrën e emigracionit në Tunja, ku autoritet vendore vepruan menjëherë pasi e pikasën.
Burime të gazetës “El Tiempo” bëjnë me dije se ai kishte hyrë në Kolumbi që në vitin 2023 dhe kishte qëndruar në Bogotá dhe qytete të tjera.
Lëvizja e tij drejt Tunjas besohet se lidhet me faktin se pasaporta i kishte skaduar, dhe mendonte se në një qytet më të vogël nuk do të binte në sy, duke shmangur zbulimin e autoriteteve të Interpolit.
Hetimet e prokurorisë së Milanos, kishin zbuluar që në vitin 2016 se një apartament luksoz në Milano përdorej nga një çift, një grua italiane dhe një shqiptar, për të fshehur sasi të mëdha heroine që vinin nga Tirana.

Të dy u arrestuan në atë kohë, por Krasniqi arriti të arratisej nga Italia dhe që atëherë është kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar.
Emri i Krasniqit rezulton në dosje gjyqësore ku përmendet si pjesë e një rrjeti trafikantësh droge që përdorte prostituta për të transportuar ngarkesat nëpër Europë.
Aktualisht ai ndodhet në paraburgim, në pritje të kërkesës zyrtare për ekstradim nga Italia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



