Shendet

Vaksinat anti-Covid, bie interesi tek shqiptarët, ISHP: Kemi gjendje vetëm doza për të rriturit

Nga Gazeta Si- Me shpalljen e fundit të pandemisë nga OBSH, interesi për kryerjen e vaksinës anti-Covid ra ndjeshëm, duke përfshirë pothuajse të gjitha grupmoshat.

Por vera e vitit 2025, siç ishte paralajmëruar, solli një situatë krejt tjetër epidemiologjike krahasuar me verat e shkuara, situatë që vijon akoma, me qarkullimin në ajër të disa virozave ku më dominant është Covid-19.

Situata i ngjason vitit të fundit të pandemisë, ku megjithëse virusi kishte ulur agresivitetin, infektimi vijonte njësoj.

Por në kushtet kur kanë kaluar afro 2 vjet, askush nuk deklaron nëse duhet apo jo të vaksinohet popullata në risk.

Të pyetur nga Gazetasi.al, ekspertë të shëndetit publik, thonë se në gjendje janë doza vetëm për adultët, ndërsa për pacientët me risk që konsiderohen ata kronikë, janë mjekët e familjes që duhet ta rekomandojnë.

Gazetasi.al pyeti dhe në qendrat shëndetësore në Tiranë, por askush nuk prononcohet nëse ka rekomanduar vaksinë anticovid, në kushtet kur shumë lajme për efektet anësore të vaksinës po qarkullojnë vitin e fundit.

“Kemi patur pacientë me gjendje Covidi, simptoma të ngjashme, prekje pulmoni, temperaturë, dhimbje fyti e megjithatë druhemi tu themi “bëni vaksinën”, thonë mjekë që nuk duan të citohen.

Ndërsa situata me vaksinimin e moshave të rritura, vijon të mbetet e njëjtë. Që prej 2022 ka një refuzim në masë si nga të rinjtë ashtu dhe prindërit e tyre të cilët preferojnë që fëmija të mos vaksinohet por t’ia dalë të mundë infeksionin përmes organizmit.

Situata e mbulimit të vaksinimit paraqitet problematike në të gjithë rajonin e Europës, brenda BE dhe jashtë saj.

Edhe pse në vendet e Bashkimit Europian dhe Zonës Ekonomike Europiane (BE/EEA) shifrat e vaksinimit në kuadër të programeve kombëtare të fëmijëve janë relativisht të larta, mbeten ende “xhepa” të popullatës që janë të pavaksinuar ose të pavaksinuar plotësisht.

Situata është më shqetësuese te të rriturit! Vaksinat sezonale për punonjësit e kujdesit shëndetësor, si dhe dozat përforcuese për të moshuarit dhe personat në grupet e riskut, rezultojnë në nivele nën optimalen në shumë vende.

Ekspertët theksojnë se nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të identifikuar boshllëqet imunitare, sidomos tek ata që kanë humbur ose shtyrë vaksinimin, dhe për të zbatuar strategji të përshtatura për rritjen e mbulimit.

Përvoja e pandemisë nxori në pah rolin e madh që faktorët socialë kanë në pranimin e masave shëndetësore, nga mbajtja e maskës e deri tek vaksinimi.

Tek disa grupe, pabarazitë sociale krijuan pengesa reale për qasje të barabartë në vaksinat anti-Covid, duke treguar nevojën për mjete operacionale që adresojnë sfida të tilla.

Grip sezonal dhe Covid-19: mbulim nën objektivat

Vaksina kundër gripit, e rekomanduar për të moshuarit, grupet në risk dhe punonjësit shëndetësorë, mbetet larg objektivit europian prej 75% mbulimi.

Për më tepër, në sezonin 2023–2024, mbulimi tek të moshuarit dhe punonjësit shëndetësorë ka shënuar rënie krahasuar me periudhat e mëparshme.

Në lidhje me Covid-19, vendet e BE/EEA vijojnë të rekomandojnë vaksinimin për grupet më të rrezikuara, si të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Megjithatë, marrja e vaksinës mbetet e ulët. Nga shtatori 2023 deri në korrik 2024, mesatarja e mbulimit për grupmoshën mbi 60 vjeç ishte vetëm 14% (me diferenca të mëdha mes vendeve, nga 0.02% deri në 66.1%). Për moshat mbi 80 vjeç, mbulimi mesatar ishte 21.5%, por edhe këtu shifrat variojnë ndjeshëm nga vendi në vend.

Mesazhi i përbashkët i ekspertëve: vaksinimi duhet parë si prioritet

Rritja e rasteve të fruthit, rënia e interesit për gripin sezonal dhe niveli i ulët i vaksinimit anti-Covid tek të moshuarit tregojnë qartë se sfida kryesore nuk është vetëm ofrimi i vaksinave, por edhe sigurimi i aksesit të barabartë dhe bindja e qytetarëve për t’i marrë ato.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë