Politike

PD kërkon mocion me debat për prioritetet e qeverisë: Mazhoranca po i shmanget diskutimin

Nga Gazeta ‘Si’- Grupi Parlamentar i PD-së ka kërkuar mocion me debat, përsa i përket prioriteteve të qeverisë, kryesisht për integrimin në Bashkimin Europian.

Kërkesa u bë më 26 shtator nga kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, pasi në seancën plenare të 18 shtatorit, opozita nuk lejoi prezantimin e programit nga kryeministri Edi Rama, dhe socialistët e kaluan për votim brenda 25 minutave bashkë me kabinetin e ri.

Bardhi ka kërkuar në Mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve që mocioni të mbahet këtë të enjte, duke marrë parasysh se nuk është parashikuar seancë.

Ai tha se maxhoranca akuzon opozitën se kanë penguar debatin, por në fakt është vetë ajo që nuk po e lejon një gjë të tillë.

“Konferenca e Kryetarëve nuk vlerëson përmbajtjen e kërkesës për mocion. Konferenca vendos vetëm datën. Këkresa është konform rregullores dhe ka një pikë. Aspiratën e Shqipërisë për në BE. Keni qenë ju që keni bërtitur në Kuvend se opozita nuk do debat. Sot jeni ju që po e faktoni se kush nuk do debat, kush nuk ka një bilanc për t’u përballur në debat, kush nuk ka një program të qartë për atë që e keni shpallur prioritet pra anëtarësimin në BE. Nga njëra anë, bërtisni se kemi krijuar normalitet në Kuvend nga ana tjetër refuzoni debatin “, ka thënë Bardhi.

Më tej, akuzoi duke thënë sipas tij se bilanci i vetëm i qeverisë është se kur do të udhëtojnë për takime, kujt t’i japin leje ndërtimi, cili do të jetë koncesioni i radhës dhe sa para do vidhen.

Ndërkohë Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se kanë kaluar dy javë dhe se diskutimin për programin e qeverisë e konsiderojnë një pikë të ezauruar.

Ai thotë se kërkesa e PD-së nuk respekton as në formë dhe as në përmbajtje përcaktimet e detyrueshme të nenit 98 të rregullores së Kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë