Politike

Shkarkimi i Erion Veliajt, Rama: Hap i detyrueshëm, kryetari i lidhur duar e këmbë

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama, para ministrave dhe deputetëve të qarkut të Tiranës, tha se shkarkimi i kryebashkiakut Erion Veliaj nga Këshilli Bashkiak, ishte i detyrueshëm.

Ai e konsideroi një hap të detyrueshëm shkarkimin e Veliajt i cili prej 10 shkurtit mbahet në paraburgim dhe po gjykohet për 5 vepra penale.

Nuk la pa thumbuar as opozitën për të cilën tha se nuk e mundi dot Veliajn në garë elektorale dhe tashmë mburret me një letër anonime që u bë shkak për burgosjen e ish-kryebashkiakut.

“Pas 7 muajsh pa një kryetar bashkie të votuar në krye të detyrës dhe po ashtu pa një kryetar bashkie të dënuar nga drejtësia në lidhje me detyrën, u detyruam të marrim një hap të debatueshëm, por të detyrueshëm për fatin e kryeqytetit të Shqipërisë, – u shpreh Rama. – Këshilli bashkiak, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja dhe rindëzjes me orë të plota të makinerisë së Bashkisë Tiranë. Janë thënë dhe llomotitur shumë gjëra lidhur me këtë hap, por nuk ia vlen të merremi as me ata të cilëve iu ka rënë Diella në kokë, as me ata të cilët shumica parlamentare detyrohet të kalojë në votimin e programit, pasi ndalohet t’ja paraqesë programin me metodat famëkeqe të rrylave të fytit dhe bërrylave në sallën e Kuvendit, dhe as me ata që tre herë rresht nuk e mundën dot Erionin me karikaturat e tyre mediatike që sot fryjnë gjokset me sebepin e një letre anonime ndaj një kundërshtari me duar të lidhura dhe këmbë”.

Rama theksoi se mazhoranca nuk mund të ndërhyjë si palë në çështjen ligjore t ëish-kryebashkiakut.

“Qoftë tezgat dhe pasqyrat lincuese ndaj tij, qoftë procesi i drejtësisë kundër tij nuk janë tema ku ne mund të ndërhyjmë si palë. Tema jonë si palë e përgjegjshme në jetën e këtij vendi, është që mos të marrë peng pafundësisht kryeqytetin e Shqipërisë dhe punët e tij. Tema jonë është që të adresojmë pa humbur kohë boshllëkun përditë e më të dëshpëruar në Bashkinë e Tiranës”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë