Politike

Kuvendi miraton emrat e anëtarëve të Komisioneve Parlamentare

Nga Gazeta ‘Si’– Pas seancës së kaosit, opozita dhe mazhoranca gjetën konsensusin për të miratuar kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të përhershme parlamentare.

Në seancën plenare të ditës së sotme, PD dhe PS miratuan përbërjen e komisioneve duke zgjidhur kështu ngërçin që ishte krijuar për shkak të opozitës, e cila emrat po i mbante në sirtar pasi nuk ishte dakord me ndarjen e re 7 me 4.

Me 94 vota pro u miratuan anëtarët e 11 komisioneve të përhershme, ndërsa me 87 vota pro anëtarët zëvendësues.

Deputeti që votoi kundër është Erlad Kapri, nga Partia Mundësie e Agron Shehajt.

Seanca që duhej të ishte vetëm procedurë për miratimin e emrave, zgjati më shumë nga sa ishte parashikuar për shkak të këmbënguljes së PD që të ripërsëritej seanca e kaluar që zgjati vetëm 25 minuta dhe vetëm me votat e socialistëve u miratua programi qeverisës.

Në ‘bllok’, opozitarët morën radhën një nga një, duke kërkuar sërish mundësinë që të flasin për programin qeverisës, e duke theksuar se në asnjë rast nuk penguan kryeministrin të flasë, por ministren ‘antikushtetuese’ Diella, të cilën tashmë e kanë dërguar në Kushtetuese bashkë me rregulloren e të Kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë