Nga Gazeta Si- Vetëm 86 mijë (11 për qind) nga 797 mijë të rritur të moshës 30-79 vjeç me hipertension në Shqipëri e kishin gjendjen nën kontroll në vitin 2024, sipas raportit të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Raporti i dytë global mbi hipertensionin thotë se 711 000 të rritur në Shqipëri nuk e kanë hipertensionin nën kontroll.
Rreth 49 për qind e të rriturve, 387 mijë, janë diagnostikuar me hipertension, ndërsa pjesa tjetër mbeten të padiagnostikuar. Gratë përbëjnë 255 mijë raste të diagnostikuara, krahasuar me 132 mijë burra.
Prevalenca e hipertensionit tek të rriturit në Shqipëri është 34 për qind, ku femrat kanë më shumë se 49 për qind dhe meshkujt 46 për qind. Kjo është më e ulët se prevalenca globale prej 34%.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria është shumë mbrapa, me një diferencë të madhe. Në Greqi, 39 për qind e njerëzve e kanë nën kontroll hipertensionin, në Itali 33 për qind, në Maqedoni 26 për qind dhe në Serbi 30 për qind.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se ka një situatë alarmante për përhapjen e hipertensionit të pakontrolluar në shkallë globale, duke theksuar se kjo sëmundje prek aktualisht 1.4 miliardë njerëz, ndërsa vetëm 1 në 5 persona e ka nën kontroll.
Hipertensioni është një ndër shkaqet kryesore të sëmundjeve kardiovaskulare, përfshirë atakun në zemër, goditjet në tru dhe sëmundjet kronike të veshkave. Organizata paralajmëron se mungesa e veprimit urgjent do të çojë në miliona vdekje të parakohshme dhe kosto të larta ekonomike, rreth 3.7 trilionë dollarë brenda këtij viti për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se vendet kanë mjetet për ta ndryshuar këtë realitet, nëse investojnë në shërbime shëndetësore cilësore dhe integrojnë trajtimin e hipertensionit në kujdesin parësor. Ai nënvizoi se çdo orë humbin mbi 1,000 jetë nga sëmundje që mund të parandaloheshin.
OBSH apelon për reforma urgjente, mbështetje financiare dhe angazhim politik për të frenuar përhapjen e kësaj sëmundjeje të heshtur, e cila po shndërrohet në një krizë globale të shëndetit publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



