Nga Gazeta ‘SI’ – Këshilltari i Këshillit Bashkiak i PD-së, Dorian Teliti, foli gjatë mbledhjes së këshillit të bashkisë Tiranë, duke e quajtur “historik” shkarkimin e Erion Veliajt.
Të gjithë këshilltarët e Këshillit po flasin për 5 minuta, sipas rregullores, për procedurë për të finalizuar vendimin e shkarkimit të kryebashkiakut në detyrë.
Teliti u shpreh se janë votat e socialistëve që janë bashkuar me të opozitës, e jo ato të opozitës me të mazhorancës. Demokrati tha se kanë qenë në pritje prej katër muajsh që kjo ditë të vinte, ndaj dhe shtoi “më mirë vonë se kurrë”.
“Ne sot, i bashkuam votat tona, jo ne me ju, po ju me ne, pasi kemi katër muaj që kjo ditë të ndodhte. Po ju përsëri nuk u ngritët, më mirë vonë se kurrë”, tha ai.
Së fundmi, Teliti kërkoi të ishte prezent Veliaj, vetëm për të shprehur qëndrimet e tij, si dhe falenderoi këshilltarët socialistë që u “ngritën në lartësinë e detyrës” së tyre.
Këshilltarja e Partisë Demokratike, Ilda Zhulali, ironizoi Erion Veliajn si kryebashkiak i Tiranës.
Në fjalën e saj, Zhulali u shpreh se Veliaj duhet të ishte pjesë e kësaj mbledhjeje shkarkuese të tij, siç e parashikon ligji.
Sakaq, ajo është e lumtur që Veliaj “mori shijen e gjellës që ka gatuar vetë për këto vite”.
“Erion Veliaj është gjallë. Ai duhet të ishte këtu, sic ja lejon ligji. Unë jam e lumtur që ai mori shijen e gjellës që ka gatuar vetë për këto vite, këtë gjellë që sot ja gatuat ju”, tha Zhulali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




