Shendet

Mbi 13 mijë pacientë në 1 javë të prekur nga infeksionet respiratore dhe gastroenterite

Nga Gazeta Si- Me nisjen e vitit të ri shkollor, Shqipëria gjendet në “ethet” e Covid dhe virozave të cilat për nga ngjashmëria e simptomave i përafrohen njëra-tjetrës.

Ndonëse në faqen zyrtare në internet, Instituti i Shëndetit Publik nuk raporton të dhënat më të fundit, ajo çka shihet nga java e parë e shtatorit, është rritja e ndjeshme e infeksioneve që në total kap shifrën e 14 mijë rasteve në javën 1-7 shtator.

Këto të dhëna reflektojnë situatën në fund të sezonit veror, ku sipas raportit zyrtar të ISHP, numri më i madh i infeksioneve i përket atyre respiratore, ku 6545 pacientë u shtruan në urgjencat spitalore.

Ndërsa 2345 pacientë u prekën nga inkesionet respiratore të poshtme dhe 4463 u prekën nga diarretë.

Sipas ekspertëve të shëndetit publik, fillimi i vitit shkollor ka shtuar qarkullimin intensiv të virozave dhe Covid, duke shtuar numrin e pacientëve.

Mjekët këshillojnë që në çdo rast, t’i drejtohen qendrave shëndetësore për të marrë mjekimin e duhur si dhe të izolojnë fëmijët për disa ditë në shtëpi.

Nga rastet e evidentuara prej sistemit të survejancës, ajo që të bie në sy është mungesa e raportimeve për Covid-19, ndonëse në Shqipëri variantet më të fundit qarkullojnë intensivisht.

Sipas mjekëve, gjatë kësaj periudhe ka patur raste të dyshuara me Covid, ku mbizotëron temperature e lartë, dhimbje fyti dhe trupi, por ISHP nuk kryen më testime për Covid.

E vetmja mënyrë për diagnostikimin e tij mbeten analizat e gjakut, por mjekët thonë se shumë prej pacientëve të sëmurë nuk kryejnë analiza duke pretenduar ta kalojnë sëmundjen në shtëpi si një grip i lehtë.

Edhe varicela ka qenë prezent në këtë periudhë, ku nga hetimi epidemiologjik dhe konsultat me mjekët e familjes, mjekun infeksionist dhe atë epidemiolog, 5 raste në Tiranë dhe 1 rast në Fier janë të dyshuar për varicelë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë