Politike

Konferenca e Kryetarëve, Gjekmarkaj: Mazhoranca tentoi zhbërjen e opozitës

Nga Gazeta ‘Si’- Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj përsëriti edhe njëherë qëndrimin e opozitës se ndryshimet në rregulloren e Kuvendit do t’i çojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Po ashtu, Gjekmarkaj shtoi se në mbledhje kërkoi anulimin e dënimeve për dy deputetët e opozitës, Gazment Bardhi dhe Fidel Kreka.

Gjekmarkaj denoncoi mazhorancën për arrogancën e saj politike në seancat e para plenare sipas tij, ku opozitës u tentua që t’i mbyllej goja dhe të mos lejohej debati gjatë prezantimit të programit qeverisës dhe votimit të kabinetit në mënyrë të njëanshme.

“Ju e patë seancën e dytë, kryeministri bëri që të mos kishte debat dhe as diskutime, pati ambasadorë të pranishëm që mbetën aty. Kërkova ripërsëritjen e seancën, të mblidhet komisioni i legjislacionit, të shihej mundësia e mocionit për shkarkim ndaj Niko Peleshit, të shihet rregullorja e parlamentit dhe që të mos ketë asnjë pengesë për gazetarët”, tha Gjekmarkaj para mediave.

Ai u pyet edhe për aksionin e mëtejshëm të PD-së, nëse do dorëzonte e votonte emrat për komisione dhe drejtim në Kuvend, apo do ndiqnin ankimimin kushtetues.

Gjekmarkaj shpjegoi se opozita nuk do linte asnjë hapësirë, por vendimi do merrej nga grupi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë