Nga Gazeta ‘Si’- Debate mes socialistëve dhe demokratëve në Konferencën e Kryetarëve, ku po diskutohet kërkesa e opozitës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Nënkryetari nga radhët e PD, Agron Gjekmarkaj, e ka quajtur “atentator” Peleshin, për sjelljen e tij gjatë seancës së fundit ku u miratua pa debat programi qeverisës dhe kabineti “Rama 4”.
“Jeni në revansh. Sot këtu mungon kryetari i grupit të PD-së. Në vend që të krijoni kushte, me urdhra politikë po tentoni të asgjësoni opozitën dhe Parlamentin. Ju, kryetar, u shfaqët si atentator”, citohet të ketë thënë Gjekmarkaj.
“Po minimizoni çdo hapësirë të opozitës. Ju e përjashtuat opozitën nga procesi i integrimit dhe këtë e bëtë që në seancën e parë. Në seancën e dytë, ku nuk donit të shfaqnit qeverinë, provokuat opozitën. Ju, kryetar, e keni zhdukur parlamentarizmin. Opozita kërkon përsëritjen e seancës dhe ju duhet të mblidhni menjëherë Këshillin e Legjislacionit për mocionin e shkarkimit tuaj. Parlamentarizmi kërkon vetëdije dhe seriozitet. Ju nesër mund të sillni qenin Rex dhe ta paraqitni si ministër të Brendshëm që të lehë për 10 minuta”.
Deri tani, Peleshi ende nuk ka folur.
Në mbrojtje i ka dalë kreu i grupit socialist, Taulant Balla, i cili mësohet të ketë thënë se kryetari është interpretues i Kuvendit, ndërsa kërkesa për shkarkim, sipas tij, është e pabazuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




