Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD Sali Berisha ka deklaruar se vendosja e tritolit në banesën e Xhelal Mziut kishte për synim t’i mbyllte gojën deputetit të PD-së, duke theksuar se sulmi sipas tij u krye nga banditë shtetërorë.
Berisha theksoi se masa e eksplozivit ka qenë e konsiderueshme dhe shpërthimi ka shkaktuar dëme edhe në zonën përreth.
Sipas tij, ky akt vjen pas qëndrimit të djeshëm “antikushtetues të kreut të organizatës kriminale ndaj parlamentit dhe opozitës. Ky akt ka vetëm një synim, të mbyllë gojën e opozitarëve”.
“Sot unë jam këtu me deputetin Xhelal Mziu për të denoncuar një akt terrorizmi shtetëror ndaj deputetit dhe familjes së tij.
Banesa e deputetit Xhelal Mziu, duke qenë brenda në banesë, është sulmuar me tritol nga banditë shtetërore. Bandat janë sot pronë totale e shtetit. Masa e eksplozivit ka qenë e konsiderueshme dhe ka krijuar dëme edhe në zonën përreth”, tha ai.
Vetë deputeti Mziu e ka cilësuar si një akt hakmarrjeje politike shpërthimin me eksploziv të ndodhur mbrëmjen e kaluar në banesën e tij në Kodër-Kamëz.
Mziu u shpreh se ngjarja nuk është rastësore dhe sipas tij përfaqëson një sinjal të qartë nga qeveria, për të frikësuar dhe goditur zërat opozitarë. Mziu theksoi se nuk ka konflikte personale, borxhe apo çështje të hapura, duke përjashtuar çdo motiv tjetër përveç politikës.
“Unë e shoh këtë një akt absolutisht politik dhe është një sinjal për të treguar se, nuk mund të sillesh apo reagosh ndaj kësaj qeverie krimi dhe korrupsioni. Kështu që përveç se një hakmarrje politike unë asgjë tjetër nuk mund ta konsideroj”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




