Politike

Shkresa për shkarkimin e Veliajt, këshilltarët socialistë: Tiranës i duhet një kryetar në detyrë!

Gazeta Si – Në një mbledhje që zgjati rreth 100 minuta në selinë e Partisë Socialiste të mërkurën e 17 shtatorit, këshilltarët e majtë të Bashkisë së Tiranës, mes rezistencës dhe vlerësimeve për punën e mirë të bërë nga Erion Veliaj, ranë dakord për shkarkimin e kryebashkiakut që ndodhet pas hekurave prej muajit shkurt, kur u arrestua me urdhër të SPAK.

Këshilltarët socialistë të kryeqytetit vendosën që të martën e ardhshme, më 23 shtator, të hidhet për diskutim projektvendimi për shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj, me argumentin se nuk është paraqitur në zyrë për të ushtruar detyrën, në 3 muajt e fundit.

Këshilltarët socialistë të Bashkisë së Tiranës do të kërkojnë në mbledhjen e ditës së martë (23 shtator) shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut Veliaj.

“Qytetit të Tiranës me një zhvillim të pandalshëm ekonomik e social, i duhet një kryetar në detyrë, për ndjekjen e punëve, ndaj kjo ka nxjerrë si domosdoshmëri ndërmarrjen e iniciativës nga ana e grupit të këshilltarëve të majtë, për të nisur procedurat për shkarkimin e kryetarit aktual, si një detyrim ligjor, politik dhe moral ndaj qytetarëve, që kanë votuar për të patur një Tiranë më të zhvilluar, me më tepër shërbime cilësore dhe të denjë për të qenë kryeqyteti i Shqipërisë në fundin e rrugës së saj për të qenë pjesë e Europës”,- theksohet në relacion.

Këshilltarët socialistë bazojnë kërkesën e tyre për shkarkimin e Veliajt në nenin 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, ku thuhet se “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur: c) propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”.

Shkarkimin e Erion Veliajt e kërkuan edhe këshilltarët e PD në Bashkinë e Tiranës, që në muajin maj 2025.

Më 10 shtator SPAK njoftoi se e dërgoi në gjykatë dosjen Veliaj. Ndërsa më 11 shtator, në Asamblenë e PS, Kryeministri Edi Rama u kërkoi kryebashkiakëve socialistë që të nisin procedurat për shkarkimin e Veliajt dhe të shpallen zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës. Rama deklaroi gjithashtu se PS do të kandidojë Ogerta Manastirliun për Bashkinë e Tiranës.

Sipas ligjit, këshilli bashkiak ka për detyrë të propozojë shkarkimin e kryebashkiakut, ndërsa vendimi merret nga Kryeministri. Aktualisht, Bashkia e Tiranës drejtohet nga kryetarja e komanduar, Anuela Ristani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë