Politike

PD kërkon shkarkim të Peleshit dhe përsëritje të seancës për prezantimin e programit

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka paralajmëruar se opozita do të nisë procedurat për të kërkuar nga parlamenti shkarkimin nga detyra të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Ky vendim i opozitës vjen pasi sipas tyre, Peleshi në vetëm 2 seancat e para që ka drejtuar, ka shkelur rëndë Kushtetutën.

“PD ka vendosur nisjen e procedurave parlamentare, mocionin për shkarkimin e kryetarit të kuvendit, Niko Peleshi. Nuk është kryetar por një kukull që urdhërohet nga Rama sesi duhet të sillet me Kushtetutën dhe i marrë peng për shkak të aferave të tij me Klodian Zoton nga Rama.

Ne kemi të drejtën dhe numrin e nevojshëm për të nisur procedurën parlamentare për shkarkimin e Kryetarin e Kuvendit. Është akti më i rëndë, nuk ka ndodhur kurrë që të drejtosh vetëm 2 seanca dhe në të dyja të shkelësh Kushtetutën. Do të ketë vendime hap pas hap të grupit parlamentar”, tha Bardhi.

Ai gjithashtu tha se kanë vendosur që të kërkojnë ripërtëritjen e seancës për prezantimin e programit të qeverisë.

“Kërkojmë përsëritjen e seancës solemne kushtetuese të paraqitjes së programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave, i bëjmë thirrje Begajt të marrë praktikën parlamentare të asaj çfarë ndodhi për të konstatuar që votimi është antikushtetues se është kryer jashtë rregullave të caktuara nga Kushtetuta dhe të mos thërrasë për betim anëtarët e Këshillit të Ministrave, pa pasur procedurë të rregullt parlamentare”, tha Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë