Nga Liridon Mulaj- Është mbrëmje shtatori. Salla e TKOB po mbushet ngadalë. Njerëzit janë veshur mirë, me kujdes dhe me shije. Kanë zgjedhur garderobën posaçërisht për të respektuar një event të rrallë. Atmosfera është e qetë, por në pritje. Pas pak do të dalë në skenë Ermonela Jaho.
Repertori i saj është i menduar si një dhuratë për vendin. Shpirtëror, i ndjeshëm, i zgjedhur me kujdes për publikun që Jaho e cilëson si më të veçantin në botë. Ndërkohë që të gjithë kanë zënë vendet, dritat fiken dhe zëri i altoparlantëve njofton se shfaqja do të nisë pas pak. Një kujtesë e thjeshtë i fton spektatorët të ndalin telefonat, një rregull tashmë i domosdoshëm në një kohë kur teknologjia dhe ekranet na mbërthejnë çdo ditë.

Ajo shfaqet e thjeshtë, me një fustan bardhë e zi. Flokët i ka të kapur, ndërsa buzëqeshja e saj përçon jo vetëm ngrohtësi, por edhe një përzierje emocionesh: ankth, shpresë dhe mirënjohje. Publiku duartroket i përmbajtur, edhe ai me një lloj tensioni të brendshëm që pasqyron atë të artistes. Që në fillim ndihet se diçka e rëndësishme po afrohet, edhe pse ajo që do të ndodhë mbetet e papërshkrueshme dhe unike. Telefonat nisin të shkreptijnë foto e video, duke u bërë të bezdisshëm dhe të tepërt.
Ka një emocion të veçantë sa herë ajo del në skenë. Jo domosdoshmërisht prej faktit se është një yll botëror, as vetëm prej aftësive të saj të jashtëzakonshme për të përvetësuar çdo pjesë, çdo arie apo vokaliz, sado e vështirë të jetë. Ky emocion nuk lidhet vetëm me standardin e lartë që ajo ka arritur në skenat më prestigjioze të botës, por me një ndjesi që të rikthen tek ajri klasik i kohëve të lavdishme të Europës së artit të madh. Sepse, sa herë Ermonela Jaho shfaqet në skenën e TKOB, dihet se mbrëmja do të jetë e veçantë, një fragment kohe i çmuar që të transporton herë në Italinë e Puccinit të fillimshekullit XX, herë në Veronën e Kapuletëve të Bellinit, e deri tek lirikët dramatikë të Catalanit.
Brenda një salle relativisht të vogël, me një orkestër më të përmbajtur dhe me një publik më intim, përmblidhet thelbi i artit të madh klasik.

Mbrëmja nis me Donizettin, me “Deh! Tu di un’umile preghiera” nga Maria Stuarda. Zëri i saj ngjitet, zbret, lakohet lirshëm dhe shpesh e befason publikun, i cili reagon me duartrokitje të buta pas çdo pjese. Marrëdhënia mes saj dhe sallës është ende e ndrojtur, e paplotësuar. Publiku ende vështirë ta besojë se një artiste e këtij niveli është pjesë e këtij vendi, është shqiptare, është “si ata”. Edhe Ermonela e ndien këtë! Përtej karrierës botërore, kujtimet e fillesave të saj, të vështirësive dhe sakrificave në këtë sallë, ajo kthehet gjithmonë. Dhe publiku përballë saj, sado i paktë, është i veçantë: janë njerëzit e saj, ata që i sjellin ndër mend gjyshen, aromat e gatimeve dhe kujtimet që ajo i rrëfen me lot dhe dashuri.
Kjo e bën tensionin e mbrëmjes të veçantë. Nuk është vetëm arti, por marrëdhënia e ndërlikuar mes artistes dhe vendit të saj, një marrëdhënie ku dashuria dhe pritshmëritë ndihen në çdo notë.
Ajo këndon, interpreton, ulet në gjunjë, mbështetet në podiumin e dirigjentit, ndërvepron me publikun, i sheh në sy duke i ftuar të bëhen pjesë e shpirtit të saj artistik. Është një dialog i gjallë, një vallëzim i brendshëm që rrallë të lë të marrësh frymë.

Në fundin e çdo pjese, ajo emocionohet dhe përshëndet publikun. Rikthehet sërish, me buzëqeshje dhe me siguri që rritet dalëngadalë. Në ato dy orë të mbush me gëzim dhe të bën të hapësh zemrën. Nuk është thjesht madhështia e interpretimit të saj që ka mahnitur botën, por prania në skenë, forca e shprehjes, mënyra se si i jep kuptim çdo gjesti. Ermonela mbetet një figurë e gjallë e skenës, që të frymëzon sa herë shfaqet, qoftë në një koncert, qoftë në një takim publik.
Orkestra e TKOB është në nivelin e shfaqjes. Nëse mbyll sytë, mendon se je në Vjenë apo në Venecia, dhe kjo falë dirigjentit të jashtëzakonshëm Fabrizio Maria Carminati, i cili i ka dhënë orkestrës një tjetër fytyrë. Që nga hyrja solemne, përshëndetja, e deri tek detajet e çdo note, gjithçka e kthen mbrëmjen e 17 shtatorit në një përjetim magjik.
Ndërkaq, Ermonela, me sharmin dhe klasin e saj të lindur e destinuar për të qenë një yll i madh, që nga korridoret e fëmijërisë, nga gatimet e gjyshes, nga refuzimet e hershme të pedagogëve dhe bashkëstudentëve. Dhe megjithatë, ajo kthehet gjithmonë këtu, për të ndarë me vendin e saj dhe publikun e tij ndjesinë e një arti të madh. Sepse, falë Ermonelës, edhe publiku shqiptar gjen një pasqyrim të vetes në skenën botërore.

Edhe ne, të paktën për një natë, e ndjemë veten pjesë të boshtit të artit të madh, atij arti që rrallëherë artistët e sjellin me kaq intensitet, siç bën diva jonë, Ermonela. Nga këtu buron ngazëllimi, tensioni por dhe krenaria që lindin nga mbrëmje të tilla dhe mbeten gjatë brenda shpirtit tonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



