Politike

Veliaj pritet të shkarkohet të martën e 23 shtatorit

Nga Gazeta ‘SI’ – Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të mblidhet ditën e martë, më datë 23 shtator për të hequr nga drejtimi i Bashkisë, Erion Veliajn.

Sipas burimeve të Gazetasi.al, socialistët i kanë dërguar një kërkesë të re Këshillit Bashkiak, duke i kërkuar shkarkimin e Veliajt, me argumentin se mungon prej 3 muajsh në detyrë.

Në kërkesën e dërguar, burimet e “SI” bëjnë me dije se është formuluar fjalimi i kryeministrit Rama në asamble. Raportohet se “rezistencë” ka bërë deri në fund Aldo Merkoçi edhe pse në fund ka firmosur. Ai ka kërkuar që në deklaratë të shënohet që Veliaj i ka shërbyer qytetit dhe fjalë të tjera për punën e tij të mirë, që socialistët e kanë pranuar.

Pas nisjes së procedurave nga Këshilli Bashkiak, do të jetë Këshilli i Ministrave që do të vendosë për shkarkimin e kryetarit të bashkisë. Pas kësaj, Veliaj do të ketë 15 ditë kohë ta ankimojë vendimin për shkarkim në Gjykatën Kushtetuese.

Këshilltarët socialistë të Bashkisë u vunë në lëvizje pasi kryeministri Edi Rama deklaroi në Asamblenë e PS-së, se kryeqyteti nuk mund të priste më asnjë ditë për punët që duhen bërë dhe njoftoi se do nisnin procedurat për shkarkimin e Veliajt. Ai gjithashtu, propozoi që në garë si kandidatja e PS-së për kryebashkiake të ishte Ogerta Manastirliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë