Nga Gazeta ‘Si’- Deputetja e PD-së Ina Zhupa ka reaguar në lidhje me ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, ku sipas Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë, gazetarët nuk do të lejohen në seancën plenare dhe në oborrin e Parlamentit, teksa do të ketë një hapësirë të dedikuar për ta.
Zhupa shkruan në Facebook, se kufizimi i lirisë së mediave, po minon të drejtën e qytetarëve për t’u informuar mbi aktivitetin e deputetëve që ata kanë votuar.
“Gazetarët kanë gjithë të drejtën të pyesin deputetët dhe të regjistrojnë në mënyrë të pavarur aktivitetin e seancës publike parlamentare. Në republikën e censurës të Ramës, çdo hapësirë lirie për gazetarët dhe për deputetët duhet shuar!”, shkruan Zhupa.
Ndërsa në fund deputetja demokrate thekson se çdo masë e tillë eshtë represive dhe e papranueshme. Deputetja shton se opozita nuk do e lejojnë këtë plan të mazhorancës, pavarësisht porosiosë së kryeministrit.
Më herët AGSH-ja përmes një deklarate në Facebook tha se është informuar për një plan të mazhorancës socialiste në Kuvend për të kufizuar gazetarët dhe mediat.
“Planet e diskutuara së fundmi, për të mos lejuar kamerat brenda sallës së seancave plenare dhe për të kufizuar aksesin e gazetarëve në oborrin e Parlamentit, u heqin përfundimisht mundësinë gazetarëve për të pasur kontakte direkte me deputetët dhe ministrat, të cilët duhet të japin llogari për punën e tyre.
AGSH i bën thirrje Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe të gjithë aktorëve të përfshirë që të mos avancojnë me këto plane, të cilat dëmtojnë rëndë lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar mbi aktivitetin e deputetëve që ata kanë votuar”, thekson deklarata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




