Politike

Debati me Farage për emigrantët shqiptarë, Rama: Ku dreqin do t’i gjeni taksixhinjtë! (video)

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama vazhdon debatin e tij në distancë me Nigel Farage, liderin e partisë Reform UK në Britani të Madhe sa i takon çështjes së emigrantëve shqiptarë.

Në një intervistë për radion britanike “Times Radio”, Rama e quajti “marrëzi” pretendimin e Farage se “1 në çdo 50 shqiptarë në Britani është në burg”.

Ndërkohë që deklarata të tilla nga politikanë britanikë që lidhen me emigrancionin, Rama i konsideroi populizma, si pjesë e një fushate më të gjerë dhe që ndikuan në referendumin për daljen e Britanisë nga BE, proces që njihet si Brexit.

“Ka shumë absurditet në të gjithë këtë, sepse nuk ka një numër të madh të burgosurish shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar që dallohen disi nga numri i përgjithshëm i të burgosurve në Britani dhe nga kombësitë e tjera të tyre. Pra, është një pjesë e vogël e mozaikut më të madh të gënjeshtrave dhe argumenteve vetëmashtruese që u përdorën për të bindur popullin britanik të largohej nga Bashkimi Evropian”, – u shpreh Rama.

Më pas ai shton: “Të shkojmë faktet reale. Kemi bërë shumë punë me disa qeveri britanike dhe numri i shqiptarëve është ulur në një total jo relevant për një diskutim të tillë. Në anën tjetër vras mendjen, ku dreqin do t’i gjeni njerëzit për t’ju ndërtuar shtëpitë, për t’ju shërbyer kafen, për të qenë shoferët tuaj të taksive, shoferët tuaj të kamionëve? Kjo nuk është një pyetje që duhet t’i përgjigjem unë, por është për politikanët tuaj”.

Edi Rama përsëriti ftesën publike drejtuar Nigel Farage për të vizituar Shqipërinë dhe për të parë nga afër realitetin e vendit.

“Ai ka thënë se do të vijë për një vizitë, dhe unë do të jem shumë i lumtur ta takoj. Është një mundësi e mirë për të njohur nga afër një njeri me shumë talent e inteligjencë, pavarësisht nga teatraliteti i tij politik, dhe për t’i treguar bukuritë e Shqipërisë. Mbase e bindim ta zgjedhë Shqipërinë si destinacion për pushimet e tij”, përfundoi Rama.

Politikani britanik Nigel Farage, deklaroi më herët se do takohet për drekë me kryeministrin Edi Rama. Takim që sipas tij do zhvillohet javët e ardhshme me shpresë për të arritur një marrëveshje për dëbimin e të dënuarve shqiptarë.

Mes të dyve, ka patur replika në rrjetet sociale gjatë muajve të verës, pikërisht për emigrantët shqiptarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë