Nga Gazeta ‘Si’– Në fillim të gushtit, New York Times raportoi se si disa restorante në New York kishin filluar të ulnin porcionet e tyre dhe të përshtatnin menutë e tyre për të adresuar mungesën e oreksit të një demografie shumë specifike: konsumatorëve të Ozempic.
Ky ilaç i injektueshëm përdoret për të trajtuar diabetin e tipit 2, por falë aftësisë së tij për të frenuar oreksin, është bërë ilaçi përfundimtar mrekullibërës për humbje peshe. Popullariteti i tij i detyrohet, në një masë të madhe, promovimit të tij nga personazhe të famshëm dhe ndikues, por edhe fushatave masive reklamuese kontraverse.
Ozempic dhe ilaçe të tjera të ngjashme, të njohura si agonistë të GLP-1, imitojnë një hormon që rregullon glukozën në gjak duke nxitur rritjen e sekretimit të insulinës nga pankreasi.
Kjo ngadalëson shkallën me të cilën ushqimi largohet nga stomaku dhe hyn në zorrë, duke dhënë një ndjesi ngopje që zvogëlon oreksin dhe si pasojë mund të çojë në humbje peshe. Ata që marrin Ozempic hanë më pak sepse ndihen të ngopur me më pak ushqim. Përveç veprimit në metabolizëm, këto ilaçe veprojnë edhe në sistemin nervor qendror, duke modifikuar mënyrën se si dëshirojmë ushqime të caktuara.
SHBA-të vazhdojnë të jenë vendi me konsumin më të lartë të barnave për humbje peshe, megjithëse konsumi i tyre po rritet edhe në Europë.
Në maj të vitit 2025, kompania shumëkombëshe amerikane publikoi një raport të ri mbi rritjen eksponenciale të konsumit të këtyre barnave në vitet e ardhshme, të nxitur nga futja e një formati pilule, duke e bërë më të lehtë administrimin sesa injeksionet aktuale, dhe nga intervali midis dozave, të cilat mund të shkojnë nga javore në mujore.
Në këtë raport të fundit, analistët përmendin se mund të ketë ulje të shpenzimeve për ushqim dhe restorante nga ata që i konsumojnë këto barna.
@dolltwink Welcome to the Ozempic cafe where we serve only cvnt
♬ original sound – Doll Twink
A përbën vërtet Ozempic një kërcënim për gastronominë?
Dietologia-nutricionistja Gabriela Uriarte, specialiste në sjelljet e të ngrënit, thekson se të ngrënit jashtë nuk ka të bëjë vetëm me ushqimin, “është një akt kulturor, shoqëror, afektiv dhe thellësisht njerëzor. Nëse një ilaç zvogëlon oreksin deri në atë pikë sa të ngrënit nuk ka më kuptim përtej minimumit të nevojshëm për të qëndruar gjallë, po na mungon diçka thelbësore”, thotë ajo.
Nëse efektet janë kaq radikale, kjo mund t’i shtyjë njerëzit të ndërpresin socializimin, të gatuajnë më pak në shtëpi dhe madje të kërkojnë kënaqësi diku tjetër: “Nëse të ngrënit pushon së qeni kënaqësi, do të kërkohen burime të tjera, që nuk janë domosdoshmërisht të shëndetshme”, thotë Uriarte.
Sociologjia ka shumë për të thënë rreth të ngrënit jashtë.
Iñaki Martínez de Albeniz nga Universiteti i Vendit Bask dhe autor i librit The Gastronomic Idiot , pajtohet me Uriarte se restorantet nuk janë vetëm vende për të ngrënë: “Ato janë gjithashtu hapësira për t’u mburrur, vitrina sociale ku kapitali kulturor dhe statusi shoqëror janë në menu. Mund të jetë që, si rezultat i konsumit të ilaçe të tilla si Ozempic, përbërësi material i dietës, domethënë sasia e ushqimit, është ulur, por përbërësi simbolik, ai që jep status shoqëror, jo.”
Nëse konsumi i Ozempic do të bëhej po aq i përhapur në Europë sa në Shtetet e Bashkuara, kjo do të ndikonte në dinamikën tonë si konsumatorë, megjithëse Martínez de Albeniz parashikon se, në mënyrë paradoksale, të hash më pak mund të na bëjë të flasim më shumë për ushqimin.
A do të shohim menun Ozempic në restorantet europiane?
Në një vend si Spanja, ku ekziston një kulturë tapas dhe porcionesh të vogla që duhen ndarë, a do të kishte kuptim?
Konsulentja gastronomike Alejandra Ansón, nga Ansón+Bonet, është shumë e vetëdijshme se, për të mbijetuar, restorantet duhet të jenë në përputhje me tregun dhe se “në momentin që shohin se njerëzit duan porcione më të vogla, ndoshta do t’u duhet të përshtaten”.
Sociologu Iñaki Martínez de Albeniz ka një teori më spekulative në lidhje me sasinë.
“Nëse zbatojmë një logjikë strikte materialiste, të hash tapas është një mënyrë për të ngrënë më pak dhe për ta bërë këtë në shoqëri, brenda kornizës së një rituali të pranuar shoqërisht, nëse jo të promovuar politikisht”, thotë ai.
“Tapas është, nëse do të më lejoni shprehjen, një ‘Ozempic social’, sepse shpejtësia e marrjes ngadalësohet nga forca e ritualit. Megjithatë, ekzistenca e një menuje Ozempic do të kishte një komponent të ndryshëm, përtej atij gastronomik, i cili do të ishte komponenti i identitetit.”
Ai beson se ata që injektojnë Ozempic mund të bëhen një lloj komuniteti me “identitetin e vet gastronomik” dhe se, nëse kjo ndodh, nuk do të duhet shumë kohë që të shfaqet dikush që do të vërejë boshllëkun në treg.
Burimi: El Pais/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



