Nga Gazeta ‘Si’- Gjysmë ore zgjati seanca e parë e legjislaturës XI-të e cila e gjeti Kuvendin me të njëjtin tension politik.
Partia Demokratike, shkoi në Kuvend më të njëjtat akuza të vjetra, se zgjedhjet ishin farsë, por në sallë u kthye me argumentin se do të mbrojë interesin e qytetarëve.
“Ky është një akt absolutisht me një mjedis legjitim dhe ky është një hap që ne bëjmë në një përpjekje më të fuqishme që opozita ka bërë ne ekzistencën e saj për çlirimin e shqiptarëve nga narkodiktatura. Është parlament jolegjitim, ky është kuvendi i miliarda eurove të vjedhura shqiptarëve”, tha Sali Berisha për gazetarët teksa po hynte në ambientet e Kuvendit.
PD, e cila së bashku me aleatët e saj në këtë mandat ka 50 deputetë, nisi aksionin opozitar, duke shpalosur pankarta me foto të eksponentëve kryesorë të Partisë Socialiste dhe të mbishkruara me akuza.

Pas fjalës së deputetit socialist, Vasil Llajo i cili apeloi për bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës për të çuar përpara procesin e integrimit, Kuvendi zgjodhi Komisionin e Verifikimit të Mandateve të deputetëve në Kuvend.
Partia Demokratike dhe opozita nuk paraqiti 3 emrat e saj duke protestuar të foltorja teksa Berisha kërkonte të mbante fjalim.

Kurse kreu i grupit të PS, Taulant Balla në bazë të nenit nr. 2 të rregullores paraqiti emrat e PS për komisionin, mes tyre Milva Ikonomi, Olsi Komnici, Aulona Bylykbashi, Hatixhe Konomi dhe Alkend Balla.
Komisioni do përcaktojë kryetarin dhe më pas do verifikojë figurën e 140 deputetëve dhe mandatin e tyre, për t’ia paraqitur më pas Kuvendit në seancën që u shty sot(12 shtator) në orën 17:00.
Pas betimit, mazhoranca pritet të propozojë emrin e Niko Peleshit për kryetar të Kuvendit, siç u njoftua një ditë më parë nga kryesocialisti Edi Rama në Asamblenë e PS. Votimi do të bëhet me fletë dhe kuti votimi, ndërsa pas shpalljes së rezultatit Llajo i lë vendin kryetarit të ri, i cili do të mbajë edhe fjalën e tij të parë.
Në seancën e radhës, kryeministri Edi Rama do t’i paraqesë Kuvendit përbërjen e qeverisë së re dhe programin qeverisës. Pas votëbesimit, kabineti i “Rama 4” do të shkojë për dekretim dhe betim tek presidenti Bajram Begaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




