Politike

Deputeti Llajo nis seancën e parë të Kuvendit të ri: Të bashkëpunojmë për integrimin

Nga Gazeta ‘Si’- Kuvendi i Shqipërisë dalë nga zgjedhjet e 11 majit nisi sot seancën e parë plenare.

Seancën nuk e hapi deputeti më i vjetër, që i takonte kryetarit të PD-së, Sali Berisha, pasi ky i fundit e refuzoi.

Të njëjtën gjë bëri edhe deputeti i dytë më i vjetër, Tritan Shehu dhe në këtë mënyrë seancën e hapi deputeti i PS, Vasil Llajo. Në fjalën e tij, Llajo foli për bashkëpunim mes forcave politike në sallën e Parlamentit, për t’i dhënë mesazhin e duhur qytetarëve shqiptarë, por edhe për misionin që ka ky Kuvend, anëtarësimin e Shqipërisë në BE më 2030.

“E shoh si simbol hapjen e kësaj seance nga unë. Jeta politike nuk ndërohet vetëm me rini, por edhe me përvojë dhe bashkëpunimin mes tyre. Si mjek e shoh si rezultat të punës së ndershme. Politika ka kuptim kur prek jetën reale të njerëzve. Gjysma e deputetëve janë për herë të parë. Qytetarët duan gjuhë më të matur dhe më të besueshme, detyrimi jonë ta kthejmë në realitet. Në këtë sallë do ketë gjithmonë ndasi, sepse mazhoranca qeveris dhe opozita kontrollon qeverinë. Të ndahemi në debate por të bashkohemi në qëllime”, tha Llajo.

Më tej ai foli edhe për synimet e mazhorancës në këtë mandat, ndaj kërkoi edhe bashkëpunimin e opozitës, për integrimin në BE.

“Shqipëria është sot më afër BE-së së kurrë dhe ka rrugën përpara dhe ky është qëllimi i kësaj legjislature që Shqipëria të tregojë se është gati për të qene e barabartë mes të barabartëve. Ta shohim këtë sesion të ri si synim për të kapur standartet e reja. Shqiptarët të gjejnë arsye se kjo sallë funksionon”, tha ai.

Më pas shpalli ngritjen e Sekretarisë për zgjedhjen e Kuvendit të ri dhe procedurën e verifikimit të figurës dhe betimit të ligjvënësve të zgjedhur.

Tre deputetë ndër më të rinj në moshë u caktuan për Sekretarinë e Kuvendit, deri në zgjedhjen e kuvendit dhe përbërjen e tij. Kjo sekretari u përbë nga Marjana Koceku, Zegjine Caushi, Klodiana Capja.

Kjo e fundit ka refuzuar t’i bashkohet dy kolegeve nga kampi socialist duke mos marrë vendin e saj në ulësen e sekretarisë së përkohshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë