Nga Gazeta ‘Si’- Ermal Dredha i është drejtuar qytetarëve dhe kryeministrit Edi Rama me një mesazh pasi dha dorëheqjen si kryetar i bashkisë së Vlorës.
Dredha thotë se vendimi për t’u larguar nga posti është një akt reflektimi dhe përgjegjësie, dhe se po largohet me dinjitet për “t’i hapur rrugë energjive dhe ideve të reja”.
“Dorëheqja ime vjen si një akt reflektimi dhe përgjegjësie. Rrethanat aktuale, familjare dhe personale, apo dhe ato politike e administrative, më shtyjnë të besoj se dorëheqja ime është veprimi më i drejtë në këtë moment. Ky vendim nuk nënkupton largim nga përgjegjësia publike, por është një akt i vetëdijshëm për të krijuar hapësirë për ide dhe ritme të reja zhvillimi për bashkinë tonë.”, shkruan Dredha në mesazhin në rrjete sociale.
Dredha shprehet se si djalë i Vlorës do të vazhdojë t’i shërbejë qytetit, dhe se do të vazhdojë të kontribuojë në të mirën e përbashkët.
Në mesazh, ai thotë mes të tjerash se gjatë kësaj kohe që ka drejtuar bashkinë, ka bërë më të mirën e mundshme, “ndoshta jo gjithmonë mjaftueshëm, por gjithmonë me ndershmëri.”
Mbrëmjen e djeshme, pasi dha dorëheqjen, Dredha iu dërgoi një mesazh falenderimi vartësve për bashkëpunimin mbi 2-vjeçar dhe kërkoi mirëkuptim për rastet kur nuk ka arritur t’u gjejë zgjidhje problematikave të tyre dhe qeverisjes vendore në qytetin bregdetar.
“Faleminderit dhe ndjesë që po e lë këtë rrugëtim në mes, por sinqerisht, për mua ka qenë privilegj & kënaqesi t’iu shërbej, edhe pse jo të gjitheve kam arrit t’jua zgjidh hallet! Duke ju uruar më të mirën juve dhe familjeve tuaja, me shumë respekt, Ermali”, thuhej në mesazh.
Arsyet e dorëheqjen së Dredhës nuk dihen ende, por vijnë në një kohë kur ai ka qenë në qendër të kritikave të kryeministrit Rama për probleme të ndryshme në qytetin e Vlorës. E fundit ishte javën e kaluar, në takimin e Ramës për Operatorin Kombëtar të Ujit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




