Nga Gazeta ‘Si’- Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një konferencë me gazetarët rreth procesit zgjedhor të 11 majit u ndal tek votimi nga jashtë.
Ai tha se është e nevojshme të rishikohen rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit të diasporës dhe mënyrës si do të llogaritet ajo.
“Sa i përket votimit nga jashtë ka nevojë bazuar në eksperiencën e parë të zhvillimit të tij, të rishikohen rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit, do të vazhdojnë t’u jepet mundësia për të votuar përmes postës, nëpërmjet internetit përmes qendrave të posaçme që mund të ngrihen, por do duhet të diskutohet për këtë.
Njëkohësisht do duhet të diskutojmë se si do llogaritet dhe ku do të llogaritet vota e votuesve nga jashtë. Besoj nuk do të ketë kthim mbrapa. Kam dëgjuar disa që thonë që ky proces nuk ka nevojë të zhvillohet. Personalisht jam kundër, por do duhet të konsiderojmë rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit dhe mënyrën e llogaritjes së votës së tyre”, tha Celibashi.
Celibashi tha se do të duhet një reformë e plotë dhe e vërtetë zgjedhore.
Ai i bëri thirrje partive politike që të rikonsiderojnë organizimin e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Po ashtu, sipas tij, duhet të konsiderohen rregullat që lidhen me financimin e parive pasi ka nevojë për qartësi dhe plotshmëri.
“Vlerësoj që do të duhet në kuadër të një reforme reale të plotë dhe të vërtetë, partitë politike shqiptare si ajo e shumicës, apo ashtu ato të opozitës të rikonsiderojnë në kuadër të reformës zgjedhore, çështjet vijuese.
Pikë së pari është ajo që ka të bëjë me organizimin e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Përbërja vetëm partiake e këtyre komisioneve tashmë qartësisht ka treguar se është një dështim le ta themi kështu sa i përket administrimit profesional dhe integritetit të procesit.
Duhet të konsiderohen në mënyrë radikale rregullat që lidhen me financimin e partive politike dhe subjekteve zgjedhore. Ka nevojë për qartësi dhe plotshmëri për këto rregulla sa i përket raportimit financiar, fuqizimit të kompetencave të KQZ-së për shqyrtimin dhe verifikimin e raporteve financiare”, tha Celibashi.
I pyetur se çfarë note ai i vë zgjedhjeve, Celibashi u shpreh se për këtë pret raportin e misionit të OSBE-ODIHR-it. Megjithatë shtoi se sipas opinionit të tij, zgjedhjet ishin të ngjashme me ato që bën një vend anëtar në BE.
“Unë kam thënë që zgjedhjet për mua do të kenë dhe kanë vetëm atë vlerësim që do të bëjë misioni i OSBE-ODIHR. Raporti përfundimtar i tyre nuk ka dalë, besoj për punë ditësh del dhe besoj se do të pranoj çfarë note do të vendosin ata.
Përtej kësaj mendoj se ky proces zgjedhor, edhe pse opozita ka thënë që nuk i njeh dhe ky është një problem që të bën të mendosh se nuk ka mundësi që opozita të dalë në një qëndrim të tillë, por unë mendoj se këto zgjedhje janë zgjedhje të cilat i bën një vend kandidat për në BE. Pra atë vendin anëtar nuk di të them, kur të bëhemi vend anëtar do të them se si bëhën zgjedhjet.”, tha Celibashi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




