Nga Gazeta ‘Si’- ‘Shërbimi ynë diplomatik duhet të fokusohet në objektivin e anëtarësimit e vendit në BE’, ishte porosia që kryeministri Edi Rama u dha ambasadorëve të Shqipërisë.
Duke e cilësuar këtë periudhë si historike, Rama theksoi se asnjë ditë nuk duhet humbur në përgatitjen e terrenit për vendimin e ardhshëm të Komisionit Europian.
Sipas Ramës, hallka më e dobët e punës së Shërbimit Diplomatik është diplomacia ekonomike ku ai theksoi se roli i përfaqësive tona është i dobët. Ndaj, iu bëri thirrje që ky aspekt duhet të jetë prioriteti i tyre.
Rama u ndal edhe tek samiti i NATO-s, i cili do të zhvillohet në Tiranë në vitin 2027, për të cilin tha se duhet të përmbushim të gjithë pritshmëritë nga ana e Shqipërisë.
“Këto katër vite të cilat përkojnë me këtë agjendë janë katër vite ku asnjë ditë nuk duhet humbur dhe ku koha nuk pret për të përgatitur të gjithë terrenin e mbështetjes së vendimit që do të marrë Këshilli Europian për anëtarësimin në BE. Negociatat zhvillohen mbi bazë dypalëshe mes Shqipërisë dhe KE-së, por e gjithë atmosfera rreth tyre ka një rëndësi të vetën dhe është e ndikueshme nga faktorë të ndryshëm.
Është me shumë rëndësi puna e përditshme e shërbimit tonë diplomatik dhe fokusi i përditshëm sidomos në disa vende të BE-së. Besoj se ndani me mua mendimin se kjo konferencë zhvillohet në një moment kur kreditet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare janë më të larta se asnjëherë dhe ku profili i Shqipërisë si një vend në ngjitje dhe partner i besueshëm në rajon dhe gjithë tryezat ndërkombëtare është një aset i cili duhet shfrytëzuar në funksion të Shqipërisë 2030 dhe më tutje”, tha ai në konferencën vjetore që ka mbledhur ambasadorët shqiptarë të akredituar në botë.
Ai u bëri thirrje atyre që të marrin një rol më aktiv në identifikimin dhe regjistrimin e shqiptarëve të suksesshëm jashtë vendit.
“Jemi një vend i vogël dhe popull i vogël që nuk e kemi luksin të mos kemi dijeni për burimet tona njerëzore jashtë vendit. Ka shqiptarë të jashtëzakonshëm që shkëlqejnë në çdo cep të botës dhe shumë prej tyre nuk kanë asnjë nevojë materiale ndaj Shqipërisë, por do ta mirëprisnin një ftesë për të kontribuar për vendin e tyre”, – u shpreh Rama.
Ai paralajmëroi ndryshime në ligjin për funksionimin dhe organizimin e trupës diplomatike të Shqipërisë, si dhe mbështetje të shtuar financiare. Rama tha se tashmë ekziston një draft, që do dërgohet në parlament për miratim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




