Trashëgimi

Kur dhe si u zhvendos ‘Varri i bamit’?

Nga Sokol Çunga -Tradita thotë se kur të gjallit dhe të vdekurit i takohen rrugët, i vdekuri kalon i pari. Kurse legjenda thotë se kur i gjalli shqetëson vendprehjen e të vdekurit, i vdekuri indinjohet. Prej këtej përligjet dhe dukuria e “lugatit”, i vdekuri i shqetësuar që hakmerret duke u shfaqur para të gjallëve, deri sa ta lënë të qetë. Po kur vendprehjet, varrezat, prishen me ligj të shtetit, çfarë ndodh?

Në një fletë regjistri të varrimeve të komunitetit ortodoks të Tiranës, kleriku përgjegjës për kryerjen e shërbesës së mbrame për besimtarët ka shënuar me laps të kuq: “Deri në numrin 44 janë varros në varrezat e vjetra, Rr. Qemal Stafa. Vazhdimi vijon në varrezat e reja nga Kombinati e Shish Tufina, ndarë dysh”. Këto shkruan Saqellar Petro Doçi.

Data e fundit e varrimit në varrezat e vjetra është 26 qershor 1963. Bëhet fjalë për varrezat e Varrit të Bamit apo Vorrit të Bamit, siç i thonë në Tiranë. Çfarë ndodh më pas?

Me një vendim të Këshillit të Ministrave të datës 18 mars 1962, pushteti qendror vendosi që vendvarrimet e Tiranës të vendoseshin në dy zona, në jug-perëndim të qytetit, në tokat e fshatit Sharrë, si dhe në lindje të tij, në tokat e fshatit Shish-Tufinë. Për këto funksione u caktuan dhe sipërfaqet e tokave që duhej të shpronësoheshin.

Në mënyrë që varrosja e banorëve të kryhej në mënyrë të organizuar, Këshilli i Ministrave vendosi, po ashtu, që vijë ndarëse dhe përcaktuese të merrej Bulevardi Dëshmorët e Kombit, i cili ndante kryeqytetin pothuaj në dy gjysma: gjithë qytetarët që, teksa ndërronin jetë, banonin në perëndim të tij, do të varroseshin në Sharrë, kurse ata që ndodheshin në anën lindore do të varroseshin në Shish-Tufinë. Njëherazi, shteti do të kujdesej për zhvendosjen e varreve ekzistuese nga Varrezat e Bamit për në varrezat e reja

Kështu ndodhi, dhe sot Tirana ka dy vendvarrime, në dy skajet e saj. Kurse në blloqet e reja të banimit, ndërtuar mbi zonën që ende mban emrin Varri i Bamit, u prodhuan gojëdhëna për shpirtra të shqetësuar që natën prishin qetësinë e banorëve, apo për një vajzë të re, e cila u shfaqet vazhdimisht banorëve, duke prodhuar legjendën e Fantazmës së Nuses. A është e vërtetë? S’e dimë. Dokumentat nuk e thonë këtë.

Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist shqiptar


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë