Futboll

“Dhuratat” e Krishtlindjes për Milan, Inter dhe Juventus

Është dita e Krishtlindjes dhe e gjitha bota feston dhe mendon për dhuratat. Edhe në futboll festohet, pavarësisht se një pjesë e madhe e kampionateve europiane do të vazhdojnë edhe në këtë periudhë festash. Në futboll kur flasim për dhurata e kemi fjalën për merkato dhe blerje futbollistësh.

Milan, Inter dhe Juventus tre skuadrat më të mëdha italiane në gjendje shumë të ndryshme nga njëra tjetra në këtë datë Krishtlindjes, por sërish po i mendojnë dhuratat për ekipet e tyre. Sipas medieve italiane të tre ekipet e mëdha të Serisë A i kanë gati blerjet e para për këtë sezon.

Te Juventus, si ekipi i parë në renditje dhe për të garantuar një ecuri të qetë në të treja kompeticionet janë dy lojtarët që mund të afrohen këtë merkato. Matis de Lit dhe Zhan Kler Todibo dy talentet e rinj po monitorohen prej disa kohësh nga drejtuesit bardhezinj dhe besohet se do të afrohen këtë janar. Të dy futbollistët kanë perspektivë të madhe dhe Juventus nuk dëshiron që ta lërë për më vonë blerjen e tyre, por t’ia vërë në dispozicion të teknikut Alegri. Kosto totale e të dyve mund të shkojë deri në 60 milionë euro, por kur në mes është një agjent si Mino Raiola, çdo gjë duhet parë me vëmendje dhe çmimi mund të rritet akoma dhe më shumë.

Te Inter “dhurata” e Krishtlindjeve për Spaletin ka vetëm një emër, Nikolo Barela. 21 vjeçari që luan për Kaljarin shikohet gjithmonë edhe më afër me Inter. Me uljen e Marotës në postin e drejtorit teknik, mesfushori i talentuar duket gjithmonë edhe më afër për shkak të raporteve që drejtuesi i ri zikaltër ka me presidentin e Kaljarit. Barela pritet të jetë një forcë e shtuar per Interin në mesfushë, aty ku deri më tani janë shfaqur problemet më të mëdha, për shkak se Naingolan ka vuajtur nga dëmtime të shumta.

Milani ka nevojë shumë për “dhurata”, por në këtë Krishtlindje, por ajo më e mundshmja quhet Cesk Fabregas. Spanjolli po përflitet prej disa muajsh për kalimin e tij në Milano, por duket se kjo merkato vere është momenti i duhur për të konkretizuar këtë lëvizje. Fabregas pritet që t’i vihet në dispozicion të Gatuzos duke filluar që nga fillimi i muajit janar dhe të marrë në dorëzim çelësat e mesfushës kuqezi. Afrimi i Fabregas dhe kufizimi në blerje të tjera për Milanin do të jetë i detyruar edhe nga kufizimet e Fair Play Financiar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë